Lidhje

Vullnetarët punojnë kopshtet e Uashingtonit me rastin e Ditës së Tokës

  • Nico Colombant
  • Zëri Amerikës

Vullnetarët punojnë kopshtet e Uashingtonit me rastin e Ditës së Tokës

Vullnetarët punojnë kopshtet e Uashingtonit me rastin e Ditës së Tokës

Një javë aktivitetesh për të shënuar 40 vjetorin e caktimit të Ditës së Tokës, u hap në Uashington me krijimin e një fshati ekologjik në Parkun Qendror të kryeqytetit amerikan. Aktivitetet kanë tërhequr vullnetarë të shumtë që punojnë për mirëmbajtjen e mjediseve të gjelbra pranë monumenteve të kryeqytetit:

Donna Loks-Lewis e Shërbimit të Parqeve dhe Mirëmbajtjes së Parkut Qendror, këshillon vullnetarët para se të fillojnë plehërimin e lulishtes në parkun përkujtimor të Franklin Delano Roosevelt.

Të tjerët merren me pastrimin e terrenit e heqjen e barërave të këqia. Një prej tyre, Uiright Sigmund, la sot punën si agjent imobiliar për të ndihmuar këtu:

“Duhet të jetë kauza e çdokujt që të japin kontribut për të restauruar mjedisin tonë natyror. Kjo është diçka që simbolizon më së miri shpirtin e vendit tonë”.

Në Parkun Qendror, përgjatë rrugëzave janë vënë globe artistike që përfaqësojnë problemet e planetit dhe zgjidhjet e mundshme.

Kompani, ambasada, agjenci qeveritare dhe aktivistë ngrenë tenda për të reklamuar produktet e programet e tyre. Disa përdorin energjinë e erës apo diellit për të gjeneruar elektricitet.

Ruth Neting, shkencëtare pranë Administratës Kombëtare për Aeronautikën dhe Hapësirën, NASA, kombinon fotografi satelitore për të krijuar një imazh të vetëm:

“Ky është planeti Tokë. Është planeti ynë dhe ne duhet të kujdesemi për të. Fëmijë të vegjël që vijnë këtu, frymëzohen dhe ndoshta mësojnë të kujdesen për planetin ku jetojnë”.- thotë ai

Presidentja e Rrjetit të Ditës së Tokës, Kathlin Rogers, u kërkon njerëzve nga e gjithë bota të kryejnë një akt të gjelbër, siç e quan ajo:

“Mund të zotohesh se do të ndryshosh llampat, të pastrosh lagjen, të krijosh një kopësht në një shkollë. Ka plot aktivitete që përfshihen në këtë kategori”.

Aktivitetet këtë javë në Parkun Qendror kurorëzohen me një tubim dhe një koncert me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të njohura që do të mbahet me 25 prill, me kërkesën që Kongresi të miratojë ligje për të hapur vende të gjelbra pune dhe caktimin e niveleve për çlirimin e karbonit.

Disa vullnetarë thanë se edhe pa masat politike e reklamat pompoze, thjesht një gjest si mbledhja e mbeturinave përmirëson mjedisin dhe mban gjallë angazhimin e gjelbër.

XS
SM
MD
LG