Lidhje

Shqetësime për të ardhmen e fluturimeve amerikane të hapësirës

  • Brian Wagner
  • Zëri Amerikës

Shqetësime për të ardhmen e fluturimeve amerikane të hapësirës

Shqetësime për të ardhmen e fluturimeve amerikane të hapësirës

Presidenti Barak Obama foli të enjten para punonjësve të Administratës Kombëtare të Hapësirës dhe Aeronautikës, NASA, rreth planeve për këtë agjenci, pasi misionet e anijeve të hapësirës përfundojnë këtë vit. Mbyllja e këtyre misioneve pritet të sjellë humbjen e mijëra vendeve të punës në komplekset e nisjeve të anijeve dhe komunitetet për rreth tyre në Florida.

Kur pajisjet kanë difekt në anijet e hapësirës, ato shkojnë për t’u riparuar në punishte. Por jo në çdo punishte.

Tom Mingrone është drejtori i operacioneve në kompleksin e logjistikës së anijeve pranë Qendrës së Hapësirës Kennedy. Kjo ndërtesë strehon disa nga teknologjitë më të avancuara në botë për të riparuar dhe prodhuar paisje për flotën e anijeve dhe Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Ajo drejtohet nga Aleanca e Bashkuar e Hapësirës, një organizatë e firmave privae që punon me agjencinë amerikane të hapësirës Nasa. Punonjësit e kompanisë sigurojnë gjithashtu parametrat e sigurisë dhe disa aspekte të nisjes së anijeve.

Për zotin Migrone, kjo ka qenë puna e tij e vetme. Ai thotë:

"Është shtëpia ime. Jam rritur me programin e anijeve dhe këtu do të qëndroj derisa të më thonë të largohem."

Por puna po mbyllet në këtë uzinë ndërsa mbeten vetëm tre misione të hapësirës. Zyrtarët amerikanë kanë vendosur të mbyllin misionet këtë vit dhe të drejtojnë vëmendjen në zhvillimin e teknologjive për një brez të ri fluturimesh njerëzore në hapësirë.

Por Mingrone dhe veteranë të tjerë si ai janë të shqetësuar se ky vendim do të jetë i gabuar pa patur plane të qarta për një mjet tjetër që do të zëvendësonte anijet.

Drejtues të komunitetit në zonën e njohur si Bregu i Hapësirës thonë se heqja e anijeve do t’u kushtojë atyre 7 mijë vende pune dhe do të dëmtojë bizneset lokale që mbështeten tek punonjësit e kësaj uzine dhe vizitorët.

Por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se strategjia e re e presidentit do të krijojë 2 mijë e 500 vende pune dhe Nasa do të marrë 6 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për të zhvilluar teknologji të reja për eksplorimin e hapësirës.

Planet e tanishme të Nasës mbështeten gjithashtu në përdorimin e raketave të reja dhe makinave të ndërtuara nga kompani private. Nuk është e qartë kur këto projekte private mund të jenë gati për fluturim, thotë Mingrone.

Gjatë karrierës së tij 31 vjeçare, Mingrone ka ndihmuar të fitohet njohuri dhe ekspertiza e duhur në uzinën e logjistikës së anijeve. Shumë punonjës mund të largohen nga kjo zonë për të gjetur një punë të re. Mingrone thotë se një humbje e ngjashme ndodhi edhe pas përfundimit të programit Apollo në vitin 1975:

"Kur u shpërnda ai ekip pune, ishte e pamundur t’i mblidhje përsëri. Do të humbasim shumë njohuri kur njerëzit të largohen nga ky program."

Kontraktorët në këtë uzinë dhe në qendra të tjera të Nasës do të dëgjojnë me vëmendje planet e presidentit Obama dhe shpresat për programin amerikan të hapësirës.

XS
SM
MD
LG