Lidhje

Feith: Ndarja e Kosovës do të destabilizonte rajonin


Qeveria dhe komuniteti ndërkombëtarë nuk kanë bërë mjaft për trajtimin e problemeve ekonomike në Kosovë, tha Pieter Feith, ish shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare. Zoti Feith u shpreh kundër ndarjes së Kosovës duke thënë se zgjidhja e çështjes së veriut duhet bërë në bazë të Planit Ahtisari. Në lidhje me korrupsionin ai tha se qeveria duhet t’i dyfishojë përpjekjet kundër kësaj dukurie që mund të shkaktojë vështirësi në përpjekjet për anëtarësim në BE.



Zëri i Amerikës: Zoti Feith, Zyra Civile Ndëkombëtare në katër vitet e jetës së saj shënoi një sërë arritjesh, por situata në veri vazhdon të jetë e paqëndrueshme dhe ekonomia vazhdon të jetë një sfidë e madhe për Kosovën. Së pari të ndalemi të ekonomia. A mendoni se komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovë kanë bërë mjaft për të trajtuar problemet ekonomike, si papunësia e lartë?

Pieter Feith: Mendoj se përgjigja është jo. Pjesërisht unë ndihem përgjegjës për këtë. Por, natyrisht në fund të fundit, qeveria është përgjegjësëse për politikat ekonomike. Por, komuniteti ndërkombëtar në periudhën e ardhshme duhet të punojë në krijimin e kushteve të jashtme për zhvillim ekonomik. Janë dy elemente në këtë aspekt. Së pari integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale. Është e rëndësishme që të hiqen sanksionet e Serbisë të vendosura ndaj Kosovës menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Kjo do ta ndihmonte Kosovën të bashkëpunonte me shtetet rajonale në fushat e enegjisë, transportit dhe të tjera. Natyrisht edhe Bashkimi Evropian do t’i kërkojë Kosovës dhe Serbisë të punojnë së bashku drejt arritjes së marrëveshjeve për qarkullimin e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe për krijimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të kufirit. Një çështje tjetër është fatkeqësisht imazhi i keq që ka Kosova, i cili urgjentisht duhet të përmirësohet. Kjo ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, krimin e organizuar. Ka shumë dyshime për korrupsionin veçanërisht në prokurorimin publik por edhe me tenderat. Këto çështje duhet të trajtohen me urgjencë.

Zëri i Amerikës: Të ndalemi tani të situata në veri të Kosovës. Ka zëra që ofrojnë ndarjen e Kosovë si një alternativë zgjidhjeje. Kohët e fundit ish koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek ka thënë se ndarja mund të jetë zgjidhje për Kosovën. Cili është mendimi juaj?

Pieter Feith: Unë nuk jam dakord me zotin Erhard Busek dhe unë nuk jam i vetmi person që nuk është dakord me këtë. Vendet, të cilat e mbështesin Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, Turqia, Zvicra dhe Norvegjia e kundërshtojnë me vendosmëri ndarjen. Është një opsion për të cilin nuk duhet të shpenzojmë shumë energji. Nëse do të ketë ndarje, ajo do të jetë shumë destabilizuese për mbarë rajonin, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, sepse do të vihet në pikëpyetje Lugina e Preshevës dhe natyrisht ndarja mund të jetë destabilizuese edhe për Maqedoninë. Pra, unë mendoj se ky opsion është hedhur poshtë nga miqtë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por duke marrë parasysh se ky problem nuk është trajtuar siç duhet në 13 vitet e fundit, a ka ndonjë opsion tjetër? Cilat janë alternativat tjera për zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Pieter Feith: Ekziston një alternativë dhe mendoj se është e mundur të lëvizet përpara përmes rrugës së negociatave. Së pari, veriu i Kosovës duhet të mbetet pjesë e Kosovës. Siç e dini Kosova dhe Serbia kanë një perspektivë evropiane dhe çdo zgjidhje politike për veriun duhet të jetë në përputhje të asaj që unë do ta quaja korniza e anëtarësimit e Komisionit Evropian. Kjo do të thotë se kushtet që do të kërkohen nga Serbia dhe Kosova janë forcimi i sundimit të ligjit, qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, siç e thashë më parë, zhvillimi ekonomik, pluralizmi dhe qeverisja e mirë. Ky është elementi i parë. Elementi i dytë është që në përgjithësi zgjidhja politike për veriun duhet të gjendet brenda parametrave të planit Ahtisari. Plani Ahtisari është shumë specifik në lidhje me të drejtat e komuniteteve përfshirë komunitetin serb dhe ne kemi bërë përparime të mira në fuqizimin e komunitetit serb në jug të lumit Ibër dhe e njejta gjë mund të bëhet për sërbet në veri të lumit Ibër. Unë gjithashtu do të thoja se është e rëndësishme që gradualisht të vendoset qeverisja dhe të vendosen lidhjet administrative mes Prishtinës dhe komunitetit në veri. Ky proces duhet të udhëhiqet nga qeveria. Nuk është e mundur për ndërkombëtarët që t’i bëjnë oferta komunitetit serb në veri. Kjo duhet të vijë nga qeveria. Komuniteti serb duhet të bindet që në vend që të shikoj nga Beogradi ata duhet të shikojnë në drejtim të Prishtinës dhe duhet të fillojnë të ndihen rehat me idenë e jetës me komunitetin shqiptar në Kosovë. Unë gjithashtu dua të shtoj se Beogradi mund të japë një kontribut konstruktiv në këtë drejtim. Sa i përket negociatave dhe taktikave unë mendoj se janë dy linja të dialogut. Në një anë duhet të ketë bisedime mes qeverisë së Prishtinës dhe udhëheqësve të komunitetit serb në veri ku mund të diskutohen çështjet që janë me rëndësi për qytatarët në Kosovë, dhe në anën tjetër është dialogu më politik i lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zëri i Amerikës: Nëse zyra që keni drejtuar ju nuk ishte aq e fuqishme për ta zbatuar planin e Ahtisarit, pse mendoni se kjo mund të arrihet nga qeveria e Kosovës, e cila as nuk njihet e as nuk pranohet nga ajo pjesë e vendit?

Pieter Feith: Së pari, së bashku me qeverinë kemi hapur një Zyrë Administrative në veri të Kosovës ku qytetarët mund të aplikojnë për dokumente të Kosovës. Ne nuk kemi arritur ta integrojmë veriun sepse unë nuk komandoja policinë ose forcat e KFOR-it. Nuk ka qenë mandati im dhe mua nuk më ishin dhënë këto kapacitete. Varet nga Bashkimi Evropian dhe misioni i Eulex-it që të punojnë në forcimin e sundimit të ligjit. Për këtë, komuniteti seb në veri dhe Beogradi duhet të sigurojnë lirinë e plotë të lëvizjes për forcat policore përfshirë forcat ndërkombëtare të policisë që do të jetë kusht i Bashkimit Evropian. KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pranishëm për të mbështur policinë dhe për të siguruar një ambient të sigurtë. Zyra Civile Ndërkombëtare nuk i ka patur këto aftësi, ajo duhej të varej nga partnerët e saj dhe edhe në të ardhmen të do jetë ashtu siç është tani.

Zëri i Amerikës: A kanë bërë mjaft qeveria e Kosovës, EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në luftimin e korrupsionit? A keni shpresa se pas përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë, qeveria e Kosovës do ta luftojë korrupsionin?

Pieter Feith: Mendoj se qeveria duhet ta bëjë këtë. Qeveria duhet t’i ri-dyfishojë përpjekjet për ta fshirë këtë të keqe dhe kjo do të bëhet me mbështejtjen e fuqishme të Bashkimit Evropian. Nëse nuk do të ketë përparim të mjaftueshëm në këtë aspekt, atëherë unë mendoj se rruga drejt Brukselit do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Sipas mendimit tim, korrupsioni ushqehet nga shumë faktorë por një ose dy faktorë mund të identifikohen. Njëri prej faktorëve është varfëria që është një problem i madh në Kosovë. Dyzet për qind e popullsisë janë nën nivelin e varfërisë, punësimi nuk është i mjaftueshëm, papunësia është e lartë dhe rrogat e punonjësve të sektorit publik janë shumë të ulëta. Prandaj, nëse një gjykatës ose një polic fiton një shumë të caktuar parash me të cilën ka vështirësi ta ushqej familjen atëherë tundimi do të jetë aty.
Së dyti, në situatat pas konfliktit udhëheqësit e rezistencës, në këtë rast udhëheqësit e UÇK-së, kanë përvetësuar pozitat kryesore në shtetin e ri. Unë mendoj se ky problem duhet të rishqyrtohet. Duhet të vijë një brez i ri i kosovarëve të rinj të cilët gradualisht duhet të marrin drejtimin e vendit dhe unë pres nga ata zbatim të plotë të rregullave dhe normave të sjelljes morale dhe etike. Pra, ka shpresë. Qeveria duhet të jetë plotësisht e angazhuar në këtë fushë. Dhe unë e shoh që me ardhjen e brezave të rinj gjërat do të përmirësohen.

Zëri i Amerikës: Zoti Feith, këto ditë, gjatë një diskutimi në Universitetin John Hopkins, ju thatë se Kosova ka nevojë për konsolidimin e institucioneve, që do të thotë më shumë bashkëpunim mes partive politike për çështjet e interesit kombëtar. Si mund të arrihet kjo?

Pieter Feith: E kam diskutuar këtë vazhdimisht me kryeministrin e Kosovës. Mendoj se është në interesin kombëtar për qeverinë që të bisedojë me opozitën. Kjo ka filluar të ndodh tani, por me pak vonesë. Mendoj se duhet bërë një përpjekje më serioze për të krijuar atë që e kemi quajtur mbështetje për qeverinë në bazë të një ekipi uniteti ndërkohë që qeveria është në prag të hyrjes në dialog politik me Beogradin me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian. Mendoj se udhëheqësit politikë janë gati t’i bashkohen kësaj përpjekjeje. Kam biseduar me udhëheqësit e LDK-së, AAK-së, dhe me përjashtim të Vetëvendosjes, mendoj se ka vullnet për t’u bashkuar. Jo për krijimin e një koalicioni qeverisës, por për të krijuar një grup mbështetës që do të ndihmojë qeverinë të gjejë kursin në negociatat e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Kosova ka kushtetutën dhe parlamenti i saj ka miratuar shumë ligje, por shpesh problem është zbatimi i ligjeve. A ka Kosova aftësi për zbatimin e plotë të ligjeve të saj?

Pieter Feith: Po, Kosova ka aftësi për zbatimin e ligjeve. Por, duhet bashkëpunim i plotë jo vetëm në nivelin qëndror, por edhe në nivelin e komunave me shërbimet kryesore të shtetit, policinë, autoritetet e taksave dhe shërbimet tjera. Për shembull, ka patur hapa të rëndësishëm për të siguruar përdorimin e të gjitha gjuhëve zyrtare në Kosovë, por ato nuk janë zbatuar. Nuk sheh shenja të rrugës që janë jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në gjuhën sërbe dhe gjuhë të tjera. Kështu që duhet të forcohet zbatimi i ligjeve dhe qeveria tani ka emërar një komisioner të gjuhës. Pra, ky është një hap drejt përmbushjes më të mirë të kushteve. E njejta gjë vlen për pjesën e planit të Ahtisarit, sipas të cilit televizioni publik, RTK duhet të ketë një kanal në gjuhën serbe. Tani është emëruar një drejtor i ri dhe shpresoj, që në një të ardhme të afërt ky kanal serb të fillojë punën.
XS
SM
MD
LG