Lidhje

Greqi: Athina përfshihet nga përleshjet e dhunshme, të paktën 3 të vdekur

  • Zëri Amerikës

Greqi: Athina përfshihet nga përleshjet e dhunshme, të paktën 3 të vdekur

Greqi: Athina përfshihet nga përleshjet e dhunshme, të paktën 3 të vdekur

Autoritetet greke thonë se të paktën 3 persona gjetën vdekjen sot në qendër të Athinës nga një zjarr gjatë protestave të mëdha kundër masave të ashpra ekonomike të qeverisë.

Sipas njoftimeve të para, viktimat vdiqën në ndërtesën e një banke së cilës i ishte vënë zjarri me sa duket nga protestuesit.

Dhjetra mijë njerëz u përleshën me policinë e cila u kundërpërgjegj me gaz lotsjellës dhe me granata paralizuese.

Demonstratat në Athinë ishin ndër më të mëdhatë në vite. Vlerësohet se numri i pjesmarrësve ishte rreth 60 mijë, ndërsa sipas qeverisë ishte mbi 25 mijë.

Të rinj me maska hidhnin shishe me benzinë, thyenin xhama dyqanesh dhe thërrisnin “Vrasës”, “Digjeni parlamentin”.

Kryeministri George Papandreou shpalli të dielën shkurtime drastike, duke përfshirë ato në pagat dhe pensionet e punonjësve të shërbimeve publike si dhe rritje në taksat për konsumatorët, masa që synojnë ta shpëtojnë nga falimentimi vendin e zhytur në borxhe.

"Këto masa janë të papranueshme dhe shkatërrimtare sepse këto kredi do të paguhen me dyfishin dhe trefishin e tyre, sepse ato vendosin kushte të varësisë,” thotë një demonstrues.

Reagimi i sindikatave deri tani ka qenë relativisht i heshtur po të kemi parasysh se vendi është goditur nga një numër grevash.

Konservatorët e opozitës që janë fajësuar nga zoti Papandreu për keqmenaxhim të ekonomisë dhe mbulim të shifrave të vërteta statistikore gjatë 5 viteve në pushtet, në anketat e opinionit vijnë pas socialistëve me 10 përqind më pak.

Por zemërimi është rritur pas njoftimit të masave të reja shtrënguese, të cilat ishin me rëndësi kryesore për të zhbllokuar një paketë shpëtimi prej 144 miliard dollarësh në formë kredish nga vende të tjera të eurozonës dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG