Lidhje

Evropa ndërpret fluturimet ajrore si pasojë e hirit vullkanik nga Islanda

  • Zëri Amerikës

Një re e madhe hiri vullkanik ka ndërprerë fluturimet ajrore në Evropë për të dytën ditë, pezullimi më i gjerë i fluturimeve që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Agjencia evropiane e kontrollit të trafikut ajror Eurokontrol, tha se rreth 17 mijë fluturime janë anulluar sot dhe autoritetet thonë se ndërprerjet do të vazhdojnë edhe nesër.

Reja e dalë nga shpërthimi i vullkanit përbëhet prej hirit dhe copave të mprehta xhami vullkanik, të cilat mund të kenë pasoja katastrofike për aeroplanët që fluturojnë mes tyre. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror thotë se masat e marra për të mbrojtur aviacionin komercial po u kushtojnë kompanive ajrore më shumë se 200 milion dollarë të humbur në ditë.

Vullkani ka patur pasoja edhe për udhëheqësit botërorë. Një aeroplan në të cilin udhëtonte kancelarja gjermane Angela Merkel nga Shtetet e Bashkuara ka devijuar për në Portugali sot. Ndërsa anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u detyruan të anullonin planet për një udhëtim në Republikën Demokratike të Kongos

Pas anullimit të thuajse të gjitha fluturimeve nga dhe për në Europë, mijëra pasagjerë nëpër aeroporte kërkojnë rikthimin e parave të biletave, ose ndryshim linjash për të arritur në destinacionet e planifikuara.

Reja e hirit vullkanik, shkaktuar nga vullkani nënakullnajor i Islandës, ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe të fluturimeve ajrore që mbas sulmeve të vitit 2001 në Nju Jork, duke prekur qarkullimin e pasagjerëve në 6 kontinente.

Agjencia europiane e kontrollit ajror tha se nuk do të ketë ndryshime të situatës edhe sot, pasi hiri vullkanik nuk është zhvendosur. Në fakt dita e sotme ka qenë dhe më e rënduar se dita e djeshme, pasi gjysma e aeroporteve europiane kanë anulluar fluturimet. Pritet që kjo situatë të vazhdojë dhe të shtunën.

Zëdhënësi i Kontrollit ajror britanik, Paul Haskins thotë:
“ Ne kemi lejuar disa fluturime bazuar në korridoret ajrore dhe në lartësinë e fluturimit. Deri në orën 7 të mbrëmjes ne kemi parashikimin e saktë, që situata nuk do të ketë ndryshime, më pas presim parashikimet e specialistëve, e në varësi të tyre do të jetë dhe dinamika e ndryshimit të situatës”.

Ai thotë se Atlantiku për momentin mund të kalohet vetëm përmes Irlandës, mbasi Skocia dhe Anglia i kanë pezulluar fluturimet.

Aviacioni civil francez tha se do të lejojë uljen e avionëve në aeroportet e tij vetëm gjatë katër orëve në drekë. 25 aeroporte franceze janë mbyllur për arsye sigurie.

Autoritet gjermane kanë pezulluar fluturimet në 16 aeroporte ndërkombëtare, mes tyre Frankfurti dhe Duseldorfi. Gjithashtu trafiku ajror në Berlin, Hamburg dhe Këln, është pezulluar.

Situata e krijuar ka prekur dhe Australinë dhe Japoninë. Në Australi, pasagjerët po përpiqen të gjejnë hotele, mbasi fluturimet me Europën përmes Britanisë janë mbyllur, të paktën për gjithë ditën e sotme.

Edhe Japonia ka anulluar 9 fluturime nga dhe për në Europë.

XS
SM
MD
LG