Lidhje

Ambasadori amerikan në Prishtinë: Terrorizmi, kërcënim për të gjithë


Ambasadori amerikan në Prishtinë: Terrorizmi, kërcënim për të gjithë
Ambasadori amerikan në Prishtinë: Terrorizmi, kërcënim për të gjithë

Në një ceremoni të ndarjes së një ndihme prej rreth 350 mijë dollarësh për policinë e Kosovës, ambasadori Dell, tha se terrorizmi ndërkombëtarë është kërcënim për të gjithë, por shfaqi bindjen se autoritetet në Kosovë do të vazhdojnë mbështetjen e tyre në luftën kundër veprimtarive terroriste.

“Nga vetë përcaktimi, terrorizmi ndërkombëtar nuk respekton kufij, as njerëz dhe as jetë të pafajshme. Kemi parë, për fat të keq, se është i aftë që të përpiqet të godas kudo, në çdo kohë dhe në çdo vend. Në këtë kuadër unë e di se autoritetet në Kosovë ndajnë shqetësimin dhe përkushtimin tonë për të ngritur mundësitë e tyre për të hetuar, penguar dhe për ta mundur çdo përpjekje të terrorizmit këtu”, tha ambasadori Dell.

Nga ana e tij ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, tha se Kosova është e vetëdijshme për kërcënimet nga terrorizmi por nuk do të lejojë funksionimin e organizimeve të tilla në vend.

“Mendoj se Kosova nuk do të jetë vend i celulave terroriste. Ne kemi kapacitete të mjaftueshme të luftojmë këtë fenomen me forcat tona dhe në bashkëpunim me ndihmën e miqve tanë dhe mund të them një mesazh që Kosova nuk do të jetë vend i celulave terroriste. Do t’i luftojmë me të gjitha forcat”, tha ministri Rexhepi.

Të enjten policia e Kosovës nën mbikëqyrjen e misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë arrestuan një shtetas shqiptar të Kosovës, me dyshimin për përkrahje materiale, terrorizëm, planifikim të vrasjeve, rrëmbim, gjymtime ose plagosje të personave të shteteve të huaja.

Arrestimi i Bajram Asllanit, 29 vjeçar nga Mitrovica, me emrin e koduar “Ebu Hatab” u bë në bazë të urdhrit të lëshuar nga prokuroria e Qarkut Lindor të Karolinës së Veriut. Autoritetet amerikane në këtë shtet, kanë ngritur vitin e kaluar akuza ndaj 8 personave për të cilët thuhej se kishin plane për të ndërmarrë sulme terroriste jashtë vendit.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Hysen Sherifi, një shqiptar i Kosovës, nga rajoni i Gjilanit. Autoritetet amerikane dyshojnë se i arrestuari Bajram Asllani ka komunikuar me pjesëtarë të grupit, nga të cilët thuhet të ketë marrë mbështetje financiare për krijimin e bazës së veprimeve në Kosovë në funksion të xhihadit të dhunshëm.

XS
SM
MD
LG