Lidhje

Regjisori Stiven Spielberg me filmin për presidentin Lincoln


Regjisori Stiven Spielberg ka mënjanuar portretizimin tradicional të Abraham Linkolnit, presidentit të 16 të Amerikës, duke nxjerrë në pah mendjen e një personi të gatshëm që të rrezikojë gjithçka për heqjen e skllavërisë.

Filmi është bazuar në pjesë të shkëputura nga libri “Team of Rivals” me autore Doris Kearns Goodwin. Ai e përshtat rolin e Abraham Lincoln-it me ditët e sotme duke prezantuar një mendje politike dinake që studion ndarjet në Uashington, bllokadat dhe lojrat politike.

Në vitin 1865, Lufta Civile pothuajse ka mbaruar, por presidenti Lincoln nuk nënshkruan një armëpushim derisa Kongresi të miratojë amendamentin e 13-të, që heq skllavërinë.

Sekretari i Shtetit, William Seward, është kundër.

Deri më sot, presidenti Lincoln nuk është portretizuar me kaq realizëm në film.

Për rreth një shekull, ai u portretizua si një figurë monumentale. Në filmin “Lindja e një kombi” të D.W. Griffith ai është si një statujë.

Në filmin e John Ford 1939, Young Mr. Lincoln, ai është shoqëror dhe robotik. Por filmi i Spielberg-ut është ndryshe.

“Isha i vendosur të bëja një film rreth një presidenti që punon dhe jo një presidenti pompoz.” - thotë regjisori Spielberg.

Filmi tregon presidentin që i jep fund skllavërisë dhe pastaj luftës.

Në muzeumin e Teatrit Ford, ku presidenti i 16 u vra me antentat, historiani Eric Martin shpjegon si evoloi procesi i mendimit të presidentit Lincoln. Ai thotë:

“Objektivi i tij i parë dhe kryesor kur filloi lufta nuk ishte lirimi i skllevërve por ruajtja e bashkimit kombëtar. Lincolni e kuptoi që në mënyrë që të realizonte synimin e tij ushtarak dhe përfundimisht ruajtjen dhe shpëtimin kombëtar, çështja e skllavërisë duhej të trajtohej.”

Filmi përqendrohet në katër muajt e fundit të presidencës së tij. Përpjekjet për vota në Kongres për miratimin e amendamentit duken thuajse njëlloj me përçapjet e sotme në Kongresin amerikan.

Argumentet në Dhomën e Përfaqësuesve ishin të hidhura.

Filmi kthehet tek marrëdhëniet e Lincoln-it me gruan dhe fëmijët e tij, bindjet e tij dhe vetëekzaminimin e vazhdueshëm. Aktori Daniel Day-Lewis sjell një aktrim me vlerë Oscari të presidentit të 16-të. Jo vetëm që ngjason shumë me presidentin por ai zotëron karakterin e tij.

“Të nxit personazhi sepse ai është i hapur. Një nga surprizat më të bukura është se sa i gjendëshëm ishte ai. Koha paraqiste shumë rreziqe për të pasi Shtëpia e Bardhë ishte gjithmonë e hapur.” - thotë ai

Filmi “Lincoln” i regjizorit Spielberg pritet të nderohet nga Akademia e Arteve por më e rëndësishmja është se ai do të bëjë histori.

XS
SM
MD
LG