Lidhje

Izraeli lehtëson bllokadën në Rripin e Gazës

  • Ardita Dunellari
  • Zëri Amerikës

Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian ka bërë thirrje për lehtësime të mëtejshme të bllokadës izraelite në Rripin e Gazës. Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Katherine Ashton u tha sot gazetarëve në Gazë se kufiri duhet të hapet për të lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të dyja drejtimet. Zonja Ashton shtoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të dërgojë vëzhgues për të ndihmuar në operimin e pikëkalimit kufitar.

Shefja e politikës së Jashtme për Bashkimin Evropian Katherine Ashton është diplomatja më e lartë që viziton Gazën që kur Izraeli njoftoi në fillim të muajit se do të lehtësonte bllokadën 3-vjeçare për të lejuar më shumë mallra konsumi që të futen në territorin palestinez ku banojnë 1.5 milionë vetë.

Izraeli vazhdon të ndalojë futjen e thuajse çdo artikulli eksporti dhe kufizon importin e mallrave të nevojshme për ndërtim. Në bashkëpunim me Egjiptin, Izraeli u pengon lëvizjen e lirë pjesës më të madhe të banorëve të Gazës.

“Duam të shohim krijimin e mundësive që njerëzit të lëvizin lirisht. Të shohim jo vetëm futjen e mallrave në Gazë por edhe lejimin e eksporteve nga Gaza”.- thotë zonja Ashton

Vizita e zonjës Ashton përkoi me mbërritjen e ndihmave humanitare që ishin nisur me një anije libiane, së cilës nuk iu lejua të ankoronte në Gazë. Të paktën 40 kamionë të ngarkuar me ushqime dhe ilaçe u futën sot nga pikëkalimi kufitar me Egjiptin.

Me lehtësimin e bllokadës, Bashkimi Evropian ka në plan të ofrojë grante për rreth 900 biznese për t’i kthyer në operim.

Zonja Ashton vizitoi edhe një fabrikë betoni dhe një shkollë. Në takimet që zhvilloi në Gazë, biznesmenët theksuan për diplomaten evropiane se ekonomia e zonës do të rimëkëmbej vetëm nëse lejohej importi i lëndës së parë në mënyrë që të prodhoheshin produkte për treg.

Vetëm 30 për qind e fabrikave dhe punishteve të Gazës janë aktualisht në operim, disa me kapacitet të kufizuar duke punuar me materiale të sjella kontrabandë nga tunelet nën kufirin me Egjiptin.

Kritika të forta ndërkombëtare, pas sulmit vdekjeprurës izraelit ndaj flotiljes së ndihmave u bënë shkas që Izraeli të lehtësonte bllokadën. Por kritikët thonë se ndryshimet nuk janë të thella sa duhet për të nxitur rritjen ekonomike.

Ndërkaq, sot në Jeruzalem vazhdojnë ecejaket diplomatike. I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll u takua sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu për të diskutuar rifillimin e bisedimeve të paqes. Zoti Miçëll do të zhvillojë një takim të veçantë edhe me Presidentin palestinez Mahmud Abaz për të inkurajuar rikthimin në negociata të drejtpërdrejta mes palëve. Një ndër ndihmësit e zotit Abaz tha se negociatat e drejtpërdrejta nuk priten para muajit të ardhshëm.

Ndër temat që po diskutohen është alternativa e shkëmbimit të territorit që do t’i jepte mundësi Izraelit të aneksonte disa toka ku janë ngritur vendbanime hebraike dhe do t’i kompensonte palestinezët me të njëjtën sipërfaqe territori nga tokë izraelite. Të dy palët nuk bien dakord lidhur me sipërfaqen e tokës.

XS
SM
MD
LG