Lidhje

Ish presidenti pakistanez kthehet në vend


Mërgimi katër vjeçar i ish-presidentit të Pakistanit Pervez Musharraf ka mbaruar. Ai sot mbërriti në Karaçi për t’u përgatitur për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në muajin maj.

Kthimi i zotit Musharraf është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj kërcënimeve të talebanëve kundër tij.

Adnan Rasheed, i cili më parë ishte burgosur për shkak të një komploti për të vrarë zotin Musharraf dhe vitin e kaluar u arratis nga burgu, ka bërë një tjetër kërcënim për vrasjen e ish-udhëheqësit pakistanez.

“Thuhet se kur vdekja e çakallit është afër, ai niset drejt qytetit. Muxhahedinët e Islamit kanë përgatitur një skuadër të posaçme për ta dërguar Pervez Musharrafin në ferr. Ajo përbëhet nga sulmues vetëvrasës, snajperë, një ekip të veçantë sulmuesish dhe një ekip special për dyluftime”. - tha ai

Të shtunën zoti Musharraf tha në Dubai se atij i është ofruar lirim me kusht për të shmangur arrestimin e tij, kur ai të kthehet në vend. Ai përballej me arrestimin për dyshimet për përfshirjen në vrasjen e ish-kryeministres Benazir Bhuto në vitin 2007.

Musharraf e ka mohuar përfshirjen në komplotin për vrasjen e zonjës Bhuto. Ai gjithashtu hodhi poshtë kërcënimin e Talebanëve kundër tij. Ai tha:

"Ata janë përpjekur të më dërgojnë në ferr që pas 11 shtatorit 2001, pra për 12 vjet rresht. Pra, ata nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë”.

Zoti Musharraf mori pushtetin përmes një grushti ushtarak shteti në vitin 1999, por dha dorëheqjen nga posti i presidentit në vitin 2008 dhe u largua nga Pakistani për të shmangur ndjekjen penale në lidhje me vrasjen e zonjës Bhuto.

Ai ka jetuar në mërgim në Dubai dhe Londër.


XS
SM
MD
LG