Lidhje

Qendra Skolkovo, ëndrra e Rusisë për teknologjinë

  • Anya Ardayeva

Qendra Skolkovo, ëndrra e Rusisë për teknologjinë

Qendra Skolkovo, ëndrra e Rusisë për teknologjinë

Presidenti rus Dmitri Medvedev e filloi vizitën në Shtetet e Bashkuara këtë verë jo në Shtëpinë e Bardhë, por në Silicon Valley në Kaliforni, ku u takua me guvernatorin Arnold Schwarzenneger dhe vendosi kontakt me partnerë të mundshëm të biznesit nga kompanitë kryesore të teknologjisë në botë. Arsyeja kryesore – planet ambicioze të Rusisë për të patur një qendër teknologjike të quajtur Skolkovo.

" Kjo qendër do të shërbejë si motor për formimin e një sistemi novacioni për vendin tonë. Ajo duhet të jetë konkurrente e fuqishme që në fillim dhe kjo konkurrencë duhet të jetë globale. Do të jetë një ndryshim i madh nga ajo që është bërë më parë. Tani duhet të fillojmë punën.' - tha presidenti rus

Skolkovo – 370 hektarë tokë e zbrazët, është 20 kilometra nga Moska. Gjatë tre viteve të ardhshme, qeveria ka në plan të shpenzojë më shumë se 5 miliardë dollarë për të ndërtuar një qendër shkencore që do të përqëndrohet në teknologjinë e energjitikës, të informatikës, komunikacionit, kërkimet biomjekësore dhe teknologjinë bërthamore.

Projekti ka ngjallur interes për kompanitë Siemens, Microsoft, Google, Nokia dhe Intel. Kompania Cisco System do të jetë e para që do të hyjë aty. Gjatë vizitës së zotit Medvedev në Kaliforni Cisco premtoi të investojë 1 miliardë dollarë. Miliarderi i naftës dhe i aluminit Viktor Vekselberg është emëruar menaxher i përgjithshëm i Skolkovos. Ai thotë se shpreson që edhe kompanitë ruse të bëhen pjesë e këtij projekti:

"Statusi i pjesëmarrësve do të jetë aktiv për 10 vjet. Do të ketë përfitime në taksa – në disa raste ato do të eleminohen – si taksa e pronës apo ulje të taksave për pensionet. E gjithë kjo krijon kushte tërheqëse jo vetëm për kompanitë e reja por edhe ato ekzistuese që mund të vendosin të lëvizin dhe të organizojnë aktivitetin e tyre në Skolkovo."

Gjatë 10 vjetëve të fundit, shumë nga të ardhurat e Rusisë kanë ardhur nga nafta. Nikolai Petrov në qendrën Carnegie Endowment for International Peace në Moskë thotë se Kremlini shpreson që Skolkovo do të ndihmojë për të ndryshuar këtë prirje:

" Ideja është e lidhur me faktin se modeli rus i zhvillimit ekonomik bazuar në burimet natyrore pothuajse ka përfunduar dhe është e nevojshme për vendin të kërkojë një model ndryshe."

Përkrahësit shpresojnë gjithashtu se Skolkovo do të ndihmojë për të tërhequr mbrapsht qindra rusë të talentuar – specialistë të teknologjisë, shkencëtarë dhe afaristë që janë larguar nga Rusia që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Por Petrov thotë se një projekt i vetëm nuk mund të zgjidhë problemin.

" Fatkeqësisht kjo është si në bujqësi – mund të mundohesh të rrisësh një bimë por duhet të kesh ambjentin miqësor përndryshe kjo bimë e brishtë nuk do të mbijetojë. Pra është e mundur të tërheqës rusët që janë larguar nga vendi por nëse kjo është për një periudhë të shkurtër, nuk do të realizohet pasi duhet tu ofrosh kushte të ngjashme me ato nga vendet ku jetojnë tani." - thotë ai

Një anketë e fundit në Rusi tregon se rusët mendojnë se planet për modernizimin e vendit duhet të përqëndrohen më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe burokracisë sesa në ndërtimin e teknologjisë. Por planet janë për të filluar ndërtimin e Skolkovos diku nga viti 2011 dhe se Kremlini shpreson se qendra e re teknologjike do të fillojë biznesin.

XS
SM
MD
LG