Lidhje

Bashkimi Europian rikonfirmon mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor


Bashkimi Europian rikonfirmoi sot mbështetjen pa mëdyshje ndaj perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit perëndimor. Kjo u deklarua nga ministri i jashtëm spanjoll Anguel Moratinos, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, në përfundim të takimit në Sarajeve, të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE dhe vendeve të Ballkanit perëndimor, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Brukseli ka ritheksuar ndërkohe se vendet e Ballkanit përballen me sfida të rëndësishme që kanë të bëjnë ndër të tjera me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformat në sistemin gjyqësor e të cilat përbëjnë parakushtin e hyrjes ne BE.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën sot në Sarajevë në një takim kushtuar Ballkanit dhe perspektivës së tij europiane. Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit europian për politikën e jashtme Katherine Ashton si dhe komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle.

"Takimi i sotëm mund të konsiderohet një ditë historike. Mendoj se sot Bashkimi europian dhe vendet e Ballkanit perëndimor arritën një marrëveshje të re. Një marrëveshje për të ardhmen. Një e ardhme shprese, paqeje, një e ardhme e integrimit të plotë në Bashkimin europian", deklaroi minstri i jashtëm Spanjoll Anguel Moratinos në përfundim të takimit tre orësh.

Në të vërtetë takimi i sotëm në Sarajevë ishte paraprirë nga një fare skepticizmi rreth qëndimit të Brukselit ndaj çështjes së zgjerimit, për shkak të problemeve që Europa po kalon dhe veçanërisht krizës greke. Dhe përfaqësuesit e lartë europian u përpoqën të heqin çdo dyshim:

“Rajoni i Ballkanit perëndimor është përparësia kryesore në politikën e jashtme të Bashkimit europian’’, konfirmoi gjatë

konferencës së shtypit komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle duke shtuar: "Konferenca e sotme dëshmoi qartësisht se në Bashkimin europian nuk ka lodhje apo apati mbi perspektivën e një zgjerimi të mëtejshëm"


I pyetur nga gazetarët nëse do të ndikojë kriza politike në Shqipëri në proçesin e liberalizimit të vizave dhe nëse priste një marrëveshje mes zotit Berisha dhe Rama, zoti Fyle tha:


"Rruga dhe lista e detyrave të caktuara që vendet duhet të përmbushin për të pasur shansin për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian pa viza është e qartë. Ne nuk i kemi ndryshuar rregullat e lojës. Ne nuk kemi shtuar ndonjë kriter politik shtesë. Komisioni qëndron në mbështetje të rekomandimeve që nëse përmbushen detyrat e caktuara, nuk do të ketë asnjë pengesë për qytetarët të udhëtojnë pa viza në BE. Tani fjalën e ka parlamenti evropian dhe këshilli i Evropës. Shpresoj shumë që proçesi në të cilin janë angazhuar udhëheqësit politikë në Shqipëri me synimin për gjetjen e një zgjidhje të ngërçit politik do të përfundojë para shqyrtimit të çështjes nga parlamenti evropian pasi do të jetë një stimul politik për të arritur një vendim të shpejtë dhe pozitiv në këshillin e Evropës dhe parlamentin evropian."


Nga ana e tij ministri i jashtëm spanjoll ka vlerësuar hapat përpara që janë bërë veçanërisht këto 6 muaj, duke kujtuar se Komisioni Europian ka bërë propozimin e tij për liberalizimin e vizave edhe për Shqipërinë e Bosnjen. Ndërsa duke folur për të ardhmen e integrimit të vendeve ballkanike ai ka nënvizuar se "dy janë fjalët kyçe të këtij proçesi: angazhim dhe përgjegjësi. Angazhim për të vazhduar reformat e nevojshme për integrim dhe përgjegjësi në vullnetin për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve mes vendeve të rajonit".

Edhe në dokumentin përfundimtar të takimit të sotëm rikonfirmohet se anëtarësimi në Bashkimin europian i të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor mbetet objektivi i përbashkët i BE dhe Ballkanit. Vendeve të rajonit i kërkohet të bëjnë përpara në plotësimin e kritereve të Kopenhagenit.

’Ato duhet të intensifikojnë përpjekjet për të përmbushur kriteret e nevojshme dhe parakushtet e caktuara për hyrjen në BE’’, shkruhet në deklaratën përfundimtare në të cilën nënvizohet se ‘’Vendet e Ballkanit perëndimor kanë përballë sfida serioze që lidhen me shtetin e së drejtës, reformat në sisitemin gjyqësor dhe administrativ si dhe me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto – shkruhet në deklaratë – janë probleme thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe ekonomisë, dhe bëjnë pjesë në parakushtet për hyrjen në Bashkimin europian’’.

XS
SM
MD
LG