Lidhje

Në VOA, një koleg mbyll karrierën profesionale

  • Ilir Ikonomi

70 vjetori i Zërit të Amerikës përkon edhe me 70 vjetorin e ditëlindjes së njërit prej kolegëve tanë të Shërbimit Shqip, i cili së shpejti largohet nga ekipi pas një kariere të larmishme. Ai është Shaqir Salihu, i cili filloi punën në Zërin e Amerikës në fillim të viteve 80, pasi kishte ardhur në Amerikë si refugjat politik nga Kosova.

Kur Shaqiri erdhi të punojë për Zërin e Amerikës në Uashington, Shqipëria ishte e izoluar, ndërsa në Kosovë vazhdonte shtypja dhe diskriminimi ndaj popullatës shqiptare.

“Në kohën kur unë fillova karrierën time si gazetar, Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës kishte mbetur vetëm me pesë vetë, pasi brezi i parë kishte dalë në pension. Unë pata fatin e madh të punoj në këtë shërbim gjatë disa prej zhvillimeve më të rëndësishme në historinë shqiptare, duke filluar që nga lufta e Kosovës për pavarësi, përmbysja e komunizmit në Shqipëri dhe tranzicioni drejt demokracisë.”

Kur Shaqiri filloi punën këtu, Zëri i Amerikës transmetonte vetëm në radio.

“Televizioni hyri më vonë, në vitin 1999 dhe kjo ishte një sfidë për të gjithë ne. Teknologjia ishte e re dhe më e vështirë se sa radioja. Unë u bëra producent dhe mu desh të punoja shumë më tepër se më parë. Por puna këtu ka qenë kënaqësi e madhe. Ne gjithmonë jemi përpjekur të ruajmë një nivel të lartë profesionalizmi, që është tipari dallues i Zërit të Amerikës.”

Shaqiri thotë se është krenar që po përmbush një mision të gjatë, të cilin ai e quan mbi të gjitha fisnik.

“Ndihem me të vëretë i bekuar që kam patur mundësinë të punoj për një institucion që gëzon një shkallë të lartë besueshmerie dhe besnikërie tek shikuesit dhe dëgjuesit. Dua të falenderoj me këtë rast kolegët e mi këtu në Uashington dhe korrespondentët që ne kemi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Për mua ka qenë kënaqësi të punoj me një grup kaq të përkushtuar profesionistësh.”

Me një ceremoni plot emocione, me pjesmarrjen e drejtuesve kryesorë të Zërit të Amerikës, kolegët i uruan Shaqirit fat të mbarë tani që ai po mbyll karrierën profesionale. Urime i erdhën edhe nga korrespondentët në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni me të cilët ai punon çdo ditë si producent i emisionit Ditari.

Arben Xhixho, shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, përmendi disa cilësi që i kanë bërë përshtypje te kolegu i tij:

“Për mua është kënaqësi dhe nder i veçantë që kam punuar me Shaqirin për kaq shumë vite. E kam njohur që nga viti 1992. Gjatë gjithë këtyre viteve, që kemi punuar si kolegë te Zëri i Amerikës, dy gjëra më kanë lënë përshtypje të veçantë: e para është përkushtimi i tij ndaj punës dhe e dyta, gatishmëria, vullneti, këmbëngulja e tij për t’u përshtatur me të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në trasnmetimet radiotelevizive gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit.”

Djali i Shaqirit, Ilir Salihu, punon prej disa vitesh në departamentin e teknikës të Zërit të Amerikës dhe shpesh i takon të punojë edhe për programin Ditari, ku Shaqiri është producent. At e bir kanë rast të takohen në punë disa herë gjatë ditës.

“Do të më mungojnë drekat që hanim bashkë çdo ditë dhe puna e përditshme krahas tij. Kemi kaluar disa vite bashkë në këtë punë por tani është koha për pension. Ne kemi marrëdhënie shumë të ngushta dhe jetojmë afër kështuqë do të shihemi shpesh.”

“Dua t’u uroj gjithë shqiptarëve kudo që janë 100 vjetorin e pavarësisë, që u arrit me aq mund e përpjekje. U uroj gëzuar vitin e Ri 2013, qoftë i mbarë e i suksesshëm për të gjithë", thotë Shaqiri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG