Lidhje

Banorë të Miluakit vajtojnë viktimat e të shtënave në tempullin sik


Zyrtarë në shtetin amerikan të Uiskonsinit thanë se një person i armatosur hapi zjarr dje, gjatë shërbimeve fetare në një tempull sik, në periferi të Miluaukit. Gjashtë njerëz vdiqën si pasojë e sulmit dhe tre të tjerë u plagosën rëndë, duke përfshirë dhe oficerin e policisë i cili vrau personin e armatosur. Incidenti u përshkrua nga policia si një akt terrorizmi të brendshëm dhe ka tronditur mjaft komunitetin sik të asaj zone, i cili është relativisht i vogël.

Vendi i ngjarjes së të shtënave të së dielës, ndërkohë që autoritetet lokale dhe federale mbledhin prova në tempull...

Komuniteti shumëkombësh i Miluaukit u mblodh në një park në qendër të qytetit për të nderuar gjashtë personat që humbën jetën gjatë masakrës dhe tre të tjerët që janë në gjendje kritike për jetën në spitalet e zonës.

Për anëtaren e tempullit sik Manpreet Kaur, homazhet me qirinj erdhën në një kohë me pasiguri të vazhdueshme.

"Fëmijët po zhvillonin një orë mësimi rreth orës 10. Ne nuk e dinim se ku ishin të gjithë ata fëmijë. Dikush më tregoi mbi orën e mësimit dhe ne nuk ishim të sigurt se ku ishte dhe se çfarë po ndodhte."

Zonja Kaur mësoi për lutjen e përbashkët të organizuar me ngut në rrejtin social Facebook dhe erdhi së bashku me burrin dhe vajzën e saj.

"E vlerësoj mjaft atë që njerëzit po bëjnë këtu. Kjo tregon se jo të gjithë janë të këqinj. Kemi një komunitet dhe këta janë njerëz që po japin mbështetje dhe gjëja e parë që vjen në mendje është sjellja e njerëzishme e jo feja." - tha ajo

Hekurpunuesi Randy Bryce iu bashkua pjesëmarrësve në ceremoni duke mbajtur në duar pjesë të një tabele ku shkruhej "Uisconsini qan". Ai thotë se incidenti ishte për të po aq tronditës sa edhe për anëtarët e komunitetit sik:

"Nuk mund ta kuptoj pse dikush mund të futet ashtu në atë tempull. Sot, ata ishin duke festuar një lindje. Është një vend ku ushqimi shërbehet falas për këdo që shkon aty. Çdokush është i mirëpritur. Ata janë një popull shumë paqësor. "
Inxhinieri i kompjuterave i lindur në Indi, Deepak Narayan, gjithashtu po përpiqet të kuptojë atë që ka ndodhur, fare pak kohë pas të shtënave në një kinema në Kolorado, ku vdiqën 12 vetë dhe 70 të tjerë u plagosën.

"Miluoki është një qytet i qetë, por kjo mund të ndodhë kudo. Edhe Aurora, në Kolorado, mendoj se ështe një qytet i vogël, por kjo mund të ndodhë kudo. Është diçka që na kujton se jeta është e brishtë dhe ne duhet të jetojmë çdo ditë në mënyrë të plotë."

Ndërkohë që autoritetet vazhdojnë kërkimet për prova mbi të vërtetën e tragjedisë, shumë anëtarë të komunitetit sik në juglindje të Uiskonsinit sapo kishin filluar të përballeshin me tronditjen e një incidenti që vendos komunitetin e tyre, relativisht të vogël dhe me marrëdhënie të ngushta, në qendër të vëmendjes së medias.


XS
SM
MD
LG