Lidhje

Suksesi i restoranteve familjare në SHBA


Është një ditë tjetër me shumë punë në restorantin Primo Family, një restorant popullor në Aleksandri të Virxhinias i cili ka qenë i hapur për më shumë se 25 vjet.
C.A. Savoy thotë se atij nuk i pëlqen atmosfera ose ushqimi në restorantet e firmave të mëdha. Atij i pëlqen restoranti Primos Family:

“Gjithçka gatuhet këtu. Këtu ushqimi është i freskët dhe i shijshëm”.

Kamarierja Tina Mitrakas ka punuar që kur restoranti filloi punën. Ajo thotë:

“Më pëlqejnë klientët e mi. Ata janë miqësorë. Më pëlqejnë njerëzit me të cilët punoj. Kjo është si shtëpia ime e dytë”.

Lynne Sepple ka ardhur këtu për të festuar ditëlindjen e djalit të saj:

“Djali im ka ka ardhur këtu që kur ishte gjashtë ditësh. Që atëherë ai ka ardhur këtu një herë në javë dhe tani ai është 10 vjeç”.

Mary Wise shpesh ndalon te restoranti pas punës. Ajo luan rolin e Martha Washington-it, gruas së presidentit të parë amerikan, aty afër në Mount Vernon, ku George Washington ka jetuar. Zonja Wise thotë se ndjehet mirë në restorant:

“Është një vend ku vazhdimisht mund të hani ushqim të mirë dhe jo shumë të shtrenjtë. Nuk do të ketë të papritura. Prandaj mendoj se njerëzit e pëlqejnë këtë vend”.

Pronar Jim Nicopoulos, është arsye tjetër e mirë për të ardhur këtu, thotë ajo.

“Më pëlqen të njihem me klientët e mi dhe të mësoj për jetën e tyre. Unë duhet të komunikoj me klientët dhe punonjësit në të njëjtën kohë”.

Të gjithë e thërrasin atë Jimmy, duke përfshirë zotin Savoy dhe gruan e tij, të cilët janë klientë të rregullt.

Pesë vite më parë Jimmy bleu restorantin Primo. Ky është me të vërtetë një biznes familjar, nga fotot në mur deri të hapësira e ngrënies, ku vjehrri i tij mirëpret klientët. Në kuzhinë, kushëriri i tij Spiro Routoulas përgatit specialitetet greke.

Përveç ushqimit dhe mikpritjes, Jimmy thotë të Primo ka një tjetër avantazh ndaj restoranteve zinxhir:

“Restorantet zinxhir duhet të kalojnë nëpër një proces të blerjes së ushqimit të tyre nga industritë e mëdha dhe shpërndarësit e mëdhenj. Ne mund të përdorim mishin dhe prodhimet lokale”.

Elizabeth Bessel vëren dallimin dhe nuk frekuenton restorantet zinxhir.

“Nuk më pëlqen ushqimi i restoranteve të mëdha. Kur ha këtu, Jimmy vjen në tryezë dhe na tregon se prodhimet i ka blerë nga ferma e dikujt afër komunitetit tonë”.

Jimmy thotë se ai mendon se ka vend në lagje edhe për restorante familjare dhe ato të kompanive të mëdha. Klientët e tij janë dakord.

“Ka qenë këtu për 25 vjet dhe mendoj se do të jetë këtu edhe në 25 vite të tjera”. - thotë ai
XS
SM
MD
LG