Lidhje

Lëvizja Tea Party vazhdon turneun në Amerikë

  • Jim Malone

Veprimtarë koservatorë të lëvizjes Tea Party po udhëtojnë drejt Uashingtonit me një autobus. Lëvizja mori frymëzim nga protestat kundër taksave që u zhvilluan në Boston dhe që kanë hyrë në historinë amerikane me emrin Boston Tea Party. Në vitin 1773, kolonët amerikanë hodhën çajin në Gjirin e Bostonit në shenjë proteste kundër taksave që kishte vendosur Britania. Mijëra përkrahës të lëvizjes e filluan turneun e tyre me tubime në Nevada dhe Arizona.

Rusty Green shëtit Amerikën për t’u shitur artikujt e tij përkrahësve të lëvizjes:

“Besoj në liri maksimale dhe qeveri minimale. Qeveria duhet të jetë e kontrolluar nga populli, dhe jo të kontrollohet populli nga qeveria. Mendoj se këtë parim ka lëvizja Tea Party”.

Stephen Landolt dhe e shoqja, Patricia janë pjesëtarë të lëvizjes. Ai thotë:

“Janë njerëz të thjeshtë, të cilët po shprehin opinionin e tyre që s’është marrë parasysh”.

Ata shkuan kohët e fundit në një tubim të lëvizjes në Searchlight të Nevadas:

“Merre të gjithë qeverinë mbarë, hipe në një anije, nisi në det të hapur dhe vendi përmirësohet brenda ditës”.- thotë ai

Aktivistët e lëvizjes kundërshtojnë taksat, shpenzimet qeveritare dhe reformën e qeverisë në kujdesin shëndetësor. Ata mbështesin ish-guvernatoren e Alaskës Sara Pejlin, e cila përpara tyre tha:

“Nuk do të tërhiqemi, nuk do të heshtim. Ju falenderoj që jeni organizuar”.

Politikanët konservatorë po punojnë me intensitet për të tërhequr përkrahës të lëvizjes Tea Party në mënyrë që të shfrytëzojnë politikisht energjinë e kësaj lëvizjeje. Sharron Angle është kandidate për Senatore republikane në Nevada, e cila thotë:

“Lëvizja Tea Party ngjan me mua. Ata janë ngopur dhe velur nga mënyra se si qeveria e ka përdhosur Kushtetutën”.

Por disa përkrahës të lëvizjes kanë kritika edhe për vetë Partinë Republikane, si Harris Holler nga Kalifornia:

“Besoj se lëvizja Tea Party ka më shumë ngjashmëri me Partinë Republikane, por shumë nga ne në këtë lëvizje e kemi bërë të qartë se nuk do të votojmë automatikisht për republikanët”.

Demokratët në Nevada po e ndjekin me vëmendje lëvizjen dhe shumë prej tyre si Paul Schmier shprehin shqetësim:

“Mendoj se sjellja e tyre e dhunshme nuk i shërben as republikanëve as demokratëve”.

David Damore është profesor i shkencave politike në Universitetin e Nevadës:

“Aktivistët e lëvizjes e kanë kuptuar se nuk fitojnë gjë po të shndërrohen në një parti të tretë. Prandaj kanë arritur pak a shumë një marrëveshje mes grupeve të ndryshme se do të përpiqen të reformojnë Partinë Republikane, duke filluar nga baza”.- thotë ai

Aktivistët e Lëvizjes mund të ndërlikojnë zgjedhjet e nëntorit për Kongres nëse paraqesin kandidatët e tyre, duke marrë vota nga republikanët dhe duke ndihmuar pa dashje demokratët.

Peter Brown është analist anketash në Universitetin Quinipiac:

“Nëse do të vepronin jashtë kornizës së Partisë Republikane dhe të dilnin me kandidatët e tyre, do t’u krijonin probleme republikanëve”.

Në një tubim kohët e fundit në Searchlight, kishte plot republikanë që përpiqeshin të siguronin mbështetjen e aktivistëve të lëvizjes Tea Party.

XS
SM
MD
LG