Lidhje

SHBA: FBI ushtron kontrolle në lidhje me sulmin e dështuar të Nju Jorkut

  • Zëri Amerikës

Byroja Federale amerikane e Hetimeve thotë se agjentët e saj kanë kontrolluar disa vende në verilindje të Shteteve të Bashkuara sot në lidhje me tentativën për sulm me bombë në Tajms Skuer të Nju Jorkut në fillim të këtij muaji.

Një nga kontrollet u krye në një shtëpi në qytetin Uotërtaun, në rrethinat e Bostonit në shtetin Masaçusets. Një pompë benzine në një pjesë tjetër periferike të Bostonit të quajtur Bruklajn, u kontrollua gjithashtu, dhe zyrtarët thanë se hetuesit kishin kontrolluar edhe disa vende në Nju Jork.

FBI-ja thotë se të paktën dy veta janë ndaluar gjatë kontrolleve nën akuzat se kanë shkelur ligjin e imigracionit.

Zyrtarët thonë se kontrollet erdhën si rezultat i provave të mbledhura gjatë hetimeve mbi sulmin e dështuar me bombë.

Shtetasi amerikan me origjinë nga Pakistani, Faizal Shahzad, është akuzuar për tentativën për sulm me makinë bombë. 30-vjeçari Shahzad u arrestua vetëm dy ditë pasi bomba u zbulua me 1 maj.

Autoritetet amerikane thonë se Shahzad u ka thënë atyre se është stërvitur si të përgatiste eksplozivë nga ekstremistët në Pakistan.

XS
SM
MD
LG