Lidhje

Bie numri i turistëve të huaj në Shtetet e Bashkuara


Bie numri i turistëve të huaj në Shtetet e Bashkuara
Bie numri i turistëve të huaj në Shtetet e Bashkuara

Miliona turistë të huaj vijnë çdo vit në Florida. Ata vijnë për plazhet e bukura, diellin që ndriçon gjatë gjithë vitit dhe për parqet zbavitëse, si World Disney në Orlando.

Por megjithëse gjatë vitit të kaluar në Amerikë erdhën rreth 55 milionë njerëz, industria e udhëtimeve përjetoi kohë të vështira.

Për Floridën, ku turizmi përbën më tepër se 20 për qind të ekonomisë, rënia e numrit të turistëve pati pasoja tek ekonomia e shtetit. Danielle Courtney e Zyrës së Vizitorëve dhe Konventës të Orlandos thotë se ndërsa numri i vizitorëve të huaj, edhe atyre të brendshëm në qytet ra gjatë vitit 2009, pakësimi i numrit të turistëve të huaj u ndje më tepër se sa tregonin shifrat.

"Kemi rreth 3 milionë vizitorë të huaj në vit. Ndryshimi është se ata përbëjnë rreth 17 për qind të shpenzimeve tona dhe kur ata qëndrojnë pak më gjatë, edhe shpenzojnë pak më tepër." - thotë ajo

Në vitin 2010 pritet të ketë një rigjallërim të turizmit, por qeveria amerikane parashikon një ndryshim në përbërjen e vizitorëve të huaj. Numri i turistëve nga Azia dhe nga Amerika e Jugut është rritur, kryesisht nga vende si Brazili, India dhe Kina. Ndërsa numri i vizitorëve nga Evropa Perëndimore pritet të qëndrojë i pandryshuar.

Richard Foglesong, i Universitetit Rollings, studjon për turizëm në Florida. Ai ia atribuon këtë ndryshim rritjes eknomike në Perëndim më ngadalë se sa pritej, krahasuar me ekonomitë e mëdha në zhvillim:

"Kjo është pjesë e problemit të industrisë së zbavitjes dhe asaj turistike, që varet së tepërmi tek ekonomia e gjallë, sepse një nga gjërat që njerëzit pakësojnë fillimisht në kohë krize, janë shpenzimet për zbavitje dhe pushime."

Rudi Van Rooyen dhe Philippa Smit nga Afrika e Jugut vendosën t’i kalojnë këtë vit pushimet në Florida. Van thotë se shumë jugafrikanë ndjejnë se kanë mundësinë të shkojnë për pushime jashtë vendit, sepse ekonomia e tyre është relativisht e qëndrueshme.

"Në kushtet kur ekonomia amerikane ka rënë, natyrisht që e gjithë bota e ndjen këtë paksa, por tek ne nuk ka patur asnjëherë panik si këtu për ekonominë." - thotë ai

Por shumë evropianë në qendrën e informacionit për turistët në Orlando thonë se nuk çuditen që numri i evropianëve që zgjedhin të vizitojnë SHBA ka rënë.

Ndërkohë, në kushtet kur rritja globale e ekonomisë pritet të jetë deri në 4 për qind në vitin 2010, krahasuar me një rënie prej 0,6 për qind në vitin 2009, udhëheqësit e industrisë në SHBA thonë se janë optimistë se numri i përgjithshëm e vizitorëve të huaj do të fillojë të rritet.

XS
SM
MD
LG