Lidhje

Dita e Punës në SHBA

  • Jeff Swicord

Amerikanët po festojnë Ditën e Punës, që nderon punëtorët e vendit dhe që tani është shndërruar më shumë në një ditë ku familjet mblidhen së bashku për të shënuar fundit e verës.

E hëna e parë e shtatorit u bë festa zyrtare e punës në Shtetet e Bashkuara në vitin 1894 dhe në dekadat që pasuan qendrat e rëndësishme industriale organizonin parada të mëdha që nderonin punëtorët e sindikatave.

Por me rritjen e teknologjisë dhe globalizimin e ekonomisë botërore, lëvizja e sindikatave ka rënë thellë. Shumë kërkesa të sindikatave, si java e punës me pesë ditë dhe kujdesi shëndetësor dhe pushimet e paguara nga punëdhënësi, janë garantuar në shumicën e vendeve të punës.

Shumë korporata amerikane vazhdojnë të jenë kundër organizimit të sindikatave. Vetëm një ndër tetë punonjës në amerikë merr pjesë në një sindikatë, një shifër sa gjysma e asaj të para 30 vjetëve.

Kohët e fundit, punonjësit në Shtetet e Bashkuara janë përballur me kohëra të vështira. Papunësia është në shifra të larta, ndërsa rrogat dhe përfitimet vazhdojnë të ulen, së bashku me rradhët e sindikatave. Fushata presideniciale tashmë është në fazën e saj aktive dhe të dy kandidatët po deklarojnë se do të bëjnë më të mirën për punonjësit amerikanë.

Tom Lee është ish president i federatës së muzikantëve amerikanë, sindikata më e madhe e muzikantëve në botë.

Ai e nisi karrierën me bandën e flotës detare dhe ka interpretuar disa herë në Shtëpinë e Bardhë.

Ndonëse sindikatat e kanë humbur emrin që kanë pasur në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave të fundit, zoti Lee beson se ato ende kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur.

“Unë besoj se sindikatat kanë ndihmuar popullin amerikan. Madje edhe ata që nuk kanë qenë pjesë e sindikatave kanë arritur shumë përsa i përket pagave apo përfitimeve”.

Por pjesmarrja në sindikatë ka rënë me rreth 50 për qind gjatë 40 viteve të fundit.
Dhe vitin e kaluar, shteti i Wisconsinit u hoqi të drejtën e organizimit në sindikatë shumicës së punonjësve të sektorit publik.

Shumë ekonomistë mendojnë se ulja e pjesmarrjes në sindikata është një faktor i rëndësishëm në rënien e pagave, duke marrë parasysh edhe rritjen e inflacionit.
Lawrence Mishel është presidente e Institutit të Politikave Ekonomike.

“Kjo situatë është krijuar për shkak të papunësisë së lartë gjatë viteve të fundit, si dhe për shkak të faktit se gjatë 30 viteve të fundit, si rezultat i globalizmit, punonjësit amerikanë po konkurojnë me punonjës të vendeve të tjera që paguhen me rroga shumë më të ulëta. Kjo ka çuar në erozionin e sindikalizmit”.

Sipas raportit të zotit Michel, rendimenti i punonjësve amerikanë është rritur me 80 për qind gjatë tre dekadave të fundit. Por paga e tyre është rritur vetëm me 11 për qind.
Ekonomistët konservatorë nuk janë dakort. Andrew Biggs është studiues në Institutin amerikan “Enterprise”.

“Kompensimi i punonjësve ka pësuar ndryshime të mëdha. Sot për kujdesin shëndetësor paguhet shumë më tepër se sa në të kaluarën. Më pak shkon për rrogat dhe përfitimet. Ky nuk është shfrytëzim. Kjo ka ardhur si rezultat i shtimit të kostos së kujdesit shëndetësor dhe shpenzimet duhet të dalin nga diku.”

Zoti Biggs argumenton se ulja e kostos së kujdesit shëndetësor dhe rritja e rendimentit do të çojë në rritjen e pagave. Por analisti Mishel nuk beson se kjo është e vërtetë.

“Pagat janë ulur për ato kategori të popullsisë që nuk kanë patur fare kujdes shëndetësor”.

Ndërkaq, drejtuesi i sindikatës Tom Lee thtoë se ai beson se pagat do të vazhdojnë të ulen derisa punonjësit të organziohen dhe të ushtrojnë presion për miratimin e politikave që do të përqëndroheshin në sigurinë ekonomike për të gjithë.

XS
SM
MD
LG