Lidhje

Uilliamsburgu, qyteti muze që ruan fillimet e historisë amerikane

  • Ana Ward
  • Zëri Amerikës

Uilliamsburgu, qyteti muze që ruan fillimet e historisë amerikane

Uilliamsburgu, qyteti muze që ruan fillimet e historisë amerikane

Rrugët e Uilliamsburgut ruajnë të njejtën pamje që kishin në verën e vitit 1781, kur ushtarët britanikë pushtuan qytetin në prag të përfundimit të Luftës Revolucionare. Britanikët qëndruan vetëm një javë, dhe më 4 korrik u larguan nga qyteti, 5 vjet pasi kolonitë amerikane kishin shpallur së pari pavarësinë. Tim Sutphin është drejtor i programeve historike në qytetin historik Uilliamsburg. Ai thotë:

“Ky është ndoshta fillimi i nocionit ‘amerikanë’. Ne filluam si koloni britanike, filluam si një koloni e shkëputur nga vendi që na lindi, Britania, dhe u bëmë amerikanë në Uilliamsburg”.

350 aktorë dhe imitues sjellin në jetë praninë ushtarake britanike në qytet, me tendat e fushimit, me komentet ngacmuese ndaj banorëve për të rikrijuar atmosferën e 200 vjetëve më parë. Këto aktivitete vjetore tërheqin mijëra turistë dhe amatorë të historisë. Karl Kavanaugh dhe familja e tij erdhën nga Nju Xhërsi për festimet:

“Këtu ecën në gjurmët e Xhorxh Uashingtonit dhe sheh ato që ka parë ai. Ndjen nxehtësinë, zhurmat, sheh ndërtesat. Çdo gjë është thuajse si ka qenë 200-300 vjet më parë. Është një mundësi e rrallë për të mësuar dhe për t’u argëtuar”.- thotë ai

Qyteti muze përfshin 120 hektarë me ndërtesa origjinale apo të restauruara dhe objekte historike që nga Lufta Revolucionare, apo edhe më herët, që nga mbërritja e kolonëve të parë britanikë, të cilët ngritën një plantacion dhe më pas një koloni të tërë. Pas luftës qyteti u la pas dore, por u rindërtua nga miliarderi John D. Rokfeller në fillim të shekullit të 20, për të ruajtur atmosferën dhe idealet e Amerikës së shekullit të 18. Klaid Haulman është kryetar i bashkisë së qytetit, i cili thotë:

“Mendoj se shumë njerëz, kur mendojnë për Uilliamsburgun, e mendojnë si muzeum. Faktikisht është muzeum, por është një muze i gjallë. Ke mundësi të ecësh rrugëve dhe të aktivizohesh në jetën e një qyteti të shekullit të 18, të shkosh në tregun fshatar dhe të njihesh me jetën në një komunitet të vogël amerikan”.

3 milionë vizitorët që mbushin rrugët e Uilliamsburgut çdo vit njihen jo vetëm me jetën në fillimet e Amerikës, por edhe me vështirësitë e një vendi të vogël dhe të ri për të përcaktuar identitetin e tij:

Përveç funksionit si një qytet historik, Uilliamsburgu ka edhe një ndër universitetet më të vjetra amerikane, Kolegjin William and Mary. Ky universitet është një ndër 3 ndalesat e një vizite historike. Tjetra është vendi ku u ngrit kolonia e vitit 1607 në Jamestown, dhe e treta është fushëbeteja Yorktown, ku përfundoi Lufta Revolucionare. Ky qytet është mbi të gjitha vendi ku amerikanët e parë vendosën të ndërtojnë një shoqëri të re, bazuar në barazi dhe liri.

XS
SM
MD
LG