Lidhje

Shpërthim i fuqishëm në Rusi, 14 të vrarë


Zyrtarët rusë thonë se një terrorist është përgjegjës për shpërthimin e fuqishëm që ndodhi sot në një autobus në qytetin jugor Vollgograd, nga i cili u vranë 14 vetë. Autoritetet thonë se të paktën 20 persona u plagosën. Dje, në të njëjtin qytet, një grua hodhi veten në erë në stacionin e trenit duke lënë 17 të vrarë.

Shpërthimi i sotëm ndodhi në një autobus plot me njerëz gjatë orëve me trafik të dendur të mëngjesit. Bomba shkatërroi autobusin dhe dëmtoi dritaret e ndërtesave aty pranë.

"Shpërthimi më goditi fare papritmas, nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte, xhama gjithandej, kornizat e dritareve të bëra copë-copë. Fillova të ndihmoj të tjerët. Njerëzit në rrugë kudo filluan të marrin viktimat dhe t'i fusin në makinë për t'i çuar në spital," tregon një dëshmitar.

Në vendin e ngjarjes erdhi Ministrja e Shëndetësisë, Veronika Skvortsova.

"Dy avionë janë në gatishmëri dhe në qoftë se ka njerëz në gjendje kritike, ne do të dërgojmë avionët menjëherë ", thotë zonja Skvortsova.

E pyetur për gjendjen e të plagosurve në spital, ministrja u shpreh se "tani për tani është ende e vështirë të thuhet, por të gjithë pacientët janë në gjendje të rëndë me djegie dhe me lëndime të shumta tipike si ato që shkaktohen në një shpërthim."

Shpërthimi i së hënës erdhi një ditë pasi një grua hodhi veten në erë duke vrarë 17 njerëz të tjerë në stacionin e trenit të qytetit. Autoritetet thonë se autorja e shpërthimit të djeshëm ishte nga Dagestani, një republikë në rajonin e paqëndrueshëm të Kaukazit Verior, epiqendra e një kryengritjeje islamike.

Deri tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për asnjërin prej shpërthimeve. Ato ndodhin vetëm disa javë para hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi, rreth 650 kilometra në jugperëndim të Vollgogradit. Militantët islamikë kanë kërcënuar se do të shkaktojnë trazira gjatë Lojrave.

Kremlini tha të hënën se presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar agjencinë e antiterrorizmit për të rritur sigurinë në Vollgograd dhe në pika të tjera në të gjithë Rusinë.
XS
SM
MD
LG