Lidhje

Vonesa të konsiderueshme në numërimin e votimeve bashkiake


Vonesa të konsiderueshme në numërimin e votimeve bashkiake

Vonesa të konsiderueshme në numërimin e votimeve bashkiake

Rezultatet e zgjedhjeve vendore të 8 majit mbetën të hapura për qytetet më të mëdha të vendit. Gjatë gjithë natës së dytë pas procesit zgjedhor, numërimi i votave shpesh u ndërpre për të pushuar komisionerët ndërsa në një pjesë tjetër të vendeve të numërimit puna ka ecur shumë ngadalë. E gjithë dita e hënë dhe nata që kaloi më tepër se një periudhë pune për të nxjerrë rezultatet ishte një kohë më shumë e humbur që shkeli afatet kohore të nxjerrjes së shifrave për drejtuesit e rinj të bashkive dhe komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë kryesore, vëzhguesit vendas dhe mediat u morën gjithë kohën me shifra të pjesshme nga i gjithë territori i vendit sapo mbaronte numërimi i ndonjë kutie me vota. Gjithsej janë numëruar 22 bashki, duke përjashtuar bashkitë kryesore, ku puna me numërimin po zvarritet me ndërprerje të shumta. Forcat kryesore politike zhvilluan vetëm disa konferenca të vogla duke u bëë thirrje komisionerëve dhe numëruesve që të rezistojnë sa më gjatë në numërimin e votave dhe në kujdesin për të mos dëmtuar ose mos manupuluar votat nga kundërshtarët e tyre.

Në shkallë vendi numërimi i votave është ende në nivelin e 30 për qind edhe pas 30 orësh që votimi është mbyllur zyrtarisht. Në qendër të vëmendjes mbeti për gjatë gjithë ditës rivaliteti mes kandidatit të partisë demokratike Lulëzim Basha dhe kandidatit të partisë socialiste Edi Rama. Diferenca midis tyre u luhat nga 300 deri në 1 mijë e 300 vota, ndërkohë që janë duke u numëruar ende rreth 180 mijë vota në kryeqytet. Qyteti që ka mbetur më prapa nga të gjithë është qyteti i Durrësit që ka numëruar vetëm një duzinë me kuti votash dhe presin edhe një mori tjetër me vota nga banorët e qytetit të dytë më të madh të vendit.

Vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve shprehën gjatë ditës së djeshme shqetësimin e tyre për vonesat në numërimin e votave për pushtetin vendor. Përfaqësues të vëzhguesve shqiptarë deklaruan se këto zvarritje janë të pazakonshme dhe shqetësuese, pasi humbasin më shumë se sa ditë të plotë pa mundur dot të mbyllin shifra të thjeshta. Sipas tyre, në të gjithë territorin e vendit ka vonesa dhe ndërprerje të numërimit të votave, të cilat do të vonojnë nxjerrjen e rezultateve zgjedhore.

Në zgjedhjet vendore janë akredituar mbi 4 mijë vëzhgues vendas me ekipe të lëvizshme dhe të palëvizshme në të gjithë territorin e vendit. Po ashtu janë akredituar në KQZ edhe vëzhguesit zyrës ODIHR të OSBE dhe qindra diplomatë e ëzhgues nga Këshilli Evropian, shteteve dhe institucioneve të tjera. Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë pritet të publikojnë sot raportin e tyre mbi ditën e zgjedhjeve dhe cështje të tjera, por deri në mesditë nuk do të ketë arritur që të mbyllet një rezultat përfundimtar.

Zgjedhjet vendore të 8 majit janë pritur me interesim edhe nga qytetarët shqiptarë edhe nga vëzhguesit e huaj. Për shumë qytetarë dhe njerëz të maxhorancës ky është një rast kur qytetarët zgjedhin drejtuesit e bashkive dhe komunave. Ndërsa për opozitën kjo është edhe një provë për mbështetjen që qeveria gëzon në popull.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG