Lidhje

Vendoret, dalin fituesit e parë dhe raporti i vëzhgimit


Në 16 bashki fitojnë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, në 6 Aleanca për Punë dhe Dinjitet. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme publikoi raportin e vëzhgimit.

Komisionerët në Shqipëri përfunduan numërimin e votave në 22 bashki. Fitojnë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane në 16 prej tyre.

Bashkitë e Hasit, Pukës, Mirditës, Fushë-Arrëzit, Peqinit, Belshit, Skraparit, Policanit, Ura Vajgurore, Roskovesit, Delvinës, Himarës, Kolonjës, Libohovës, Konispolit dhe Pustecit do të kenë bashkiakë socialistë.

Fituesi i Skraparit Nesim Spahiu arriti rezultatin më të thellë me 84, 4 për qind të votave.

Po ashtu fituesi i bashkisë së Delvinës Rigels Balili mori gati 73 për qind të votave.

Himara rizgjodhi kryetarin aktual Jorgo Goro me 60 për qind. Fitoret e tjera janë me shifra më shumë se 50 për qind.

Aleanca për Punë dhe Dinjitet fitoi me kandidatët e saj në Vorë, Përmet, Klos, Mat, Selenicë dhe Tropojë. Kandidati i APPD, Niko Shupuli, fitoi në Përmet me rreth 60 për qind të votave.

Në bashkitë e tjera më të mëdha procesi i numërimit të votave po ecën shumë ngadalë ose nuk ka nisur ende.

Në disa bashki rezultatet e pjesshme janë shumë të ngushta, ndërsa të tjera shifrat janë thelluar qysh në fillim.

Të dyja aleancat konkurruese kanë deklaruar interesimin dhe angazhimin e tyre të madh për të zbatuar ligjin me nxjerrjen e rezultateve, ndonëse po ato vetë po shkaktojnë zvarritje, duke ndërruar vazhdimisht komisionerët, numëruesit dhe zyrtarë të tjerë në zgjedhje.

Vëzhguesit vendas po nxjerrin raportet e tyre mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dje.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qëndrueshme publikoi raportin paraprak të vëzhgimit mbi procesin e votimit në 21 qershor.

“Vëzhguesit e pavarur të Koalicionit nuk shënuan gabime të rëndësishme proceduriale as shkelje gjatë procesit zgjedhor” - pohoi Mirela Arqimandriti, drejtuese e Koalicionit për Zgjedhje të Lira.

Sipas raportit të Koaliconit, në 25 % të qendrave të votimit pati votues që nuk gjetën emrin në listë.

Në 57 % të qendrave të votimit votuesit me aftësi të kufizuar nuk mundën të hidhnin votën e tyre në mënyrë të fshehtë pasi këto qendra ishin të papërshtatura për ta.

Në 17 % të qendrave të votimit nuk u shpërnda kopja e procesverbalit për vulat e sigurisë te vëzhguesit e partive politike, ndërsa 10 % e qendrave të votimit nuk u hapën me numrin e duhur të komisionerëve.

Rreth 37 % e qendrave të votimit nuk kishte gra komisionere dhe vetëm në 15 % të qendrave të votimit gratë ishin kryetare në komisionet e qendrave së votimit.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme është një organizatë e pavarur, e përbërë nga 30 organizata dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë vendin.

Në këto zgjedhje ata kishin 90 vëzhgues afatgjatë dhe mbi 1000 vëzhgues afatshkurtër.

Ndërsa në mesditë pritet edhe një konferencë e misionit të vëzhguesve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR-it.

OSBE/ODIHR së bashku me një delegacion nga Këshilli I Europës, shpërndan në të gjithë vendin afro 200 vëzhguesë, ndërkohë që dhjetra diplomatë të ambasadave të huaja në Tiranë, patën në qendër të vëmendjes disa zona potencialisht të nxehta gjatë fushatës zgjedhore.

Deri në orët e para të mëngjesit procesi i numërimit kishte nisur vetëm në një numër të kufizuar bashkish në të gjithë vendin.

Procesi i dorëzimit të kutive dhe dokumentacionit nga qendrat e votimit tek ato të numërimit pranë 90 komisioneve zonale ka kërkuar gati më shumë se 5 orë, duke paralajmëruar një fazë që duket se do të zgjasë.

Partitë kryesore kanë bërë thirrje që faza e numërimit të zhvillohet në respekt të ligjit.

Deputetja Olta Xhacka duke folur në emër të kryetarit të Partisë Socialiste tha se i bënte “thirrje të gjithë komisionerëve të jenë në lartësinë e ambicies sonë për Shqipërinë Europiane. Çdo votë duhet të numërohet me besnikëri të plotë ndaj votuesve dhe asnjë kandidat e asnjë subjekt që gjendet në fletën e votimit, nuk duhet të penalizohet me asnjë votë nga procesi i numërimit. Dua të nënvizoj se në nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të standardeve më të larta europiane ne numërimin e votave në të 61 bashkitë e reja të vendit tonë”, u shpreh deputetja Xhacka.

Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha në një deklaratë të shkurtër për gazetarët pranë selisë së Partisë Demokratike nënvizoi rëndësinë që ka procesi i numërimit: “I bëj thirrje numëruesve të PD të qëndrojnë në lartësinë e detyrës sipas ligjit. I kujtoj të gjithë numëruesit zbatimin me përpikmëri të ligjit për të përfunduar leximin me transparencë të verdiktit në kutitë e votimit”, u shpreh zoti Basha duke ju drejtuar qeverisë, që sic theksoi ai “të mos përsërisë dhunimet dhe parregullsitë e vërejtura gjatë ditës” së votimit.

Nga ana e tij më herët, kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar “zgjedhjet e sotme më të mirat, më të lirat e të ndershmet që kemi zhvilluar deri më tani”.

Ecuria e procesit të votimit duket se ka qenë përgjithësisht normale. Raste problematike ka patur, që nga ato teknike, te mosmarrëveshjet mes komisionerëve, ndërprerje të procesve në disa qendra votimi apo dhe përplasje e tensione në zona të vecanta. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është detyruar të marrë vendim për problemet e lidhura me fletët e votimit në Rroskovec ku në krah të emrit të kandidatit të djathtë ishte vënë emri i koalicionit të majtë, apo në Tepelenë ku emri i një kandidati të pavarur nuk figuronte në fletën e votimit. Në të dy rastet KQZ –ja ka vendosur që procesi të vijojë. Institucioni qendror i zgjedhjeve është vënë ndërkohë në akuzë për rastin e Kurbinit ku kandidati i së djathtës mbeti jashtë. Sipas përfaqësuesit demokrat, KQZ-ja ka zëvendësuar në shkelje të hapur me ligjin dhe komisionerët e saj në këtë zonë. Partia demokratike megjithatë ka denoncuar një sërë rastesh që sipas saj kanë cënuar procesin. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka foli dje në mbrëmje për “kërcënime të votuesve nga zyrtarë të policisë apo funksionarë publikë, si dhe dhunë në disa dhjetëra raste”, apo dhe “njerëz që kanë votuar me karta identiteti false”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG