Lidhje

Votim nën kërcënimin e armëve në Krime

  • Elizabeth Arrott

Qeveria rajonale e Krimesë po vazhdon me planet për mbajtjen e një referendumi për shkëputjen nga Ukraina dhe bashkimin me Rusinë. Por ata që preferojnë që Krimea të mbetet pjesë e Ukrainës, thonë se është e pamundur që referendumi të jetë i rregullt në një kohë kur gadishulli është nën kontrollin e trupave ruse dhe atyre vetëmbrojtëse pro-ruse.

Politikanët pro-Moskës në Krime po përpiqen të sigurojnë mbështetje për referendumin e së dielës, që u kërkon votuesve të zgjedhin mes bashkimit me Rusinë, apo të rifusin në fuqi kushtetutën e vitit 1992 dhe statusin e saj si republikë autonome e Ukrainës.

Deputeti Sergei Tsekov, si të gjithë anëtarët e parlamentit të ri prorus, është shprehur në favor të bashkimit me Moskën.

“Pas një jave, ne do të jemi të lumtur sepse do të realizojmë atë që e kemi pritur prej shumë, shumë vitesh”.


Në tubime, ndjenja pro-ruse është e fuqishme.

“Dua që Krimea jonë të bashkohet me Rusinë. Krimea është tokë ruse”, thotë Alexander Oseev, banor i Simferopolit.

Krimea ka lidhje të forta historike me Moskën dhe shumica e popullsisë së saj i takon etnisë ruse.

Por disa vetë mendojnë se ësjtë absurde të mendosh se votimi do të jetë i lirë dhe i rregullt, ndërsa rajoni është nën kontrollin e forcave ruse dhe pro-ruse.

Ndërsa Rusia e mohon se forcat e saj kanë depërtuar përtej bazave të Krimesë që ajo i përdor me qera, autokolona automjetesh ushtarake të paidentifikuara që besohet të jenë ruse, qarkullojnë lirisht në gadishull.

Grupeve vetëmbrojtëse pro-ruse, u janë bashkuar tani Forcat e reja të Posaçme të Krimeas, që bënë betimin këtë javë para kryeministrit pro-Moskës të rajonit, me argumentin se duhej vendosur stabiliteti para referendumit. Refat Chubarov është udhëheqës i pakicës tartare të Krimeas.

“Aspekti më cinik i historisë është kur njerëzit janë të detyruar që të zgjedhin nën kërcënimin e armës, kur kanë frikë për jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre”.

Udhëheqësit e Ukrainës e kanë dënuar votimin, duke thënë se shkel sovranitetin kombëtar, një qëndrim që gëzon mbështetjen e aleatëve perëndimorë dhe se nuk duhet të konsiderohet i ligjshëm.

“Jam absolutisht i bindur se ky refendum mund të njihet nga Koreja e Veriut dhe ndoshta Siria. Ne po i bëjmë thirrje Rusisë, Federatës ruse që ta anullojë menjeherë referendumin që do të mbahet në territorin e Republikës Autonome të Krimesë, që është pjesë e pandashme e Ukrainës”, thotë Arseny Yetsenyuk, kryeministër i Ukrainës.

Por thirrje të tilla duket se deri tani nuk kanë pasur asnjë ndikim tek gjendja në terren.
XS
SM
MD
LG