Lidhje

E drejta e votës në Teksas


Gjykata e Lartë amerikane kohët e fundit la në fuqi një ligj për identifikimin e votuesve në Teksas – ligj që u kërkon votuesve të tregojnë një dokument identifikimi para se të votojnë. Ata që janë tashmë të regjistruar dhe që kualifikohen të votojnë përmes postës ende mund ta hedhin votën ndërkohë që shteti jep certifikatë votimi falas për ata që mund të provojnë shtetësinë amerikane dhe banimin në Teksas. Kritikët e ligjit thonë se ai vendos barriera mbi njerëzit e varfër, pakicat, të moshuarit dhe të paaftët.

Votimi i hershëm filloi në Teksas vetëm disa ditë pasi Gjykata e Lartë amerikane vendosi se shteti mund t’u kërkojë votuesve të tregojnë një foto identifikimi në qendrat e votimit.

Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit dhe kandidati republikan për guvernator Greg Abbott thotë se ligji do të ndalojë mashtrimet në votim.

“Mashtrimi me votën është real dhe duhet të ndalet. Si mund të vërtetosh votuesin pa një letër identifikimi? Kjo është arsyeja përse ky ligj është i nevojshëm.“

Mbështetësit e ligjit thonë se shumica e vendeve demokratike në botë kërkojnë letër identifikimi.

Por kritikët theksojnë se ka patur vetëm pak raste të mashtrimeve me votën në Shtetet e Bashkuara – dhe se në Teksas, ku shteti dikur i bllokoi afrikano-amerikanët dhe hispanikët të votonin, është më e rëndësishme të inkurajohet pjesëmarrja e votuesve.

Marianela Acuna, e grupit VoteRiders, një organizatë jo-fitimprurëse që mbron votuesit, thotë se ka shumë arsye përse një njeri mund të mos ketë dokument zyrtar identifikimi.

“Ka njerëz që iu duhet ta rinovojnë dokumentin e identitetit, ka disa që nuk e kane dhe nuk kanë dokumenta për të vërtetuar ndryshimin e emrit apo ditëlindjen.”

Profesori i Shkencave Politike Mark Jones në Universitetin Rice thotë se rreth 500 mijë teksianë mund të mos kenë dokument të përshtatshëm për të votuar.

“Mundësia e tyre e vetme është të marrin një certificate identifikimi falas të dhënë nga shteti, por kjo nuk është vërtetë falas, pasi për ta marrë atë u duhet të marrin certifikatën e lindjes që kushton 25 dollarë. Të duhet të shkosh gjithashtu në Departamentin e Sigurisë Publike për ta marrë dhe për dike pa makinë kjo është e vështirë.”

Zoti Jones thotë se ligji për dokumentin identifikues nuk ka të ngjarë të ndikojë garën në këtë shtet por mund të ketë ndikim në disa gara të paparashkueshme përfshi disa në Hjuston.

Për shembull, republikani Devon Anderson dhe demokrati Kim Ogg janë në garë të ngushtë për postin e Prokurorit në qarkun Harris.

“Mund të kemi ndoshta 6 gara që do të vendosen për shkak të legjislacionit mbi dokumentin identifikues.”

Grupet aktiviste si Projekti për Organizimin e Teksasit po gjejnë vullnetarë të ndihmojnë njerëzit që nuk kanë mundësi të marrin dokumentin por ata po ndeshin në apatinë e votuesve.

Në Teksas pritet që gati dy të tretat e votuesve të ligjshëm të mos e ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar këtë vit edhe pse shumica e kanë dokumentin identifikues.

XS
SM
MD
LG