Lidhje

Votimet për presidentin në Serbi


Serbët po votojnë sot për presidentin e ri të vendit, me kryeministrin konservator Aleksandër Vuçiç si favoritin kryesor, megjithë paralajmërimet e opozitës ndaj shtrirjes së dominimit të tij mbi Serbinë, ndërsa vendi përpiqet të ruajë balancën ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.

Shumica e sondazheve tregojnë se Kryeministri 47-vjeçar, Aleksandër Vuçiç, do të marrë mbi 50% të votave, për t’u bërë kështu president i Serbisë. Pasi hodhi votën e tij, zoti Vuçiç foli për mediat duke rikonfirmuar garancitë për stabilitetin e vendit.

“Shpresoj që këto zgjedhje të sjellin stabilitet, vazhdimësinë e reformave ekonomike dhe sukses. Do të shohim si do të jenë rezultatet, por mendoj se kushdo qoftë fituesi nuk do të guxojë të destabilizojë Serbinë, siç premtuan disa gjatë fushatës. Jam i sigurtë se njerëzit do të vendosin në mënyrë demokratike për të ardhmen e tyre”, tha ai.

Në sondazhe, kandidatët e tjerë më të afërt rezultojnë me pak më shumë se 10% mbështetje. Ndër ta është edhe Sasa Jankoviç, i njohur si mbrojtës i të drejtave të njeriut.

“Ne kemi një lëvizje politike në Serbi dhe një arsye për optimizëm; një lëvizje për ndershmëri në politikë dhe në çështje shtetërore që po na rikthen buzëqeshjen. Ne do ta rikthejmë buzëqeshjen në fytyrat e serbëve, do të rikthejmë nderin dhe logjikën në institucionet shtetërore. Asgjë nuk do të jetë më njëlloj në Serbi. Pas një kohe të gjatë, do t’i vëmë gjërat në vend”, deklaroi zoti Jankoviç.

Një tjetër kandidat, studenti i veshur me kostum të bardhë, Luka Maksimoviç, ka rezonuar tek disa votues të zhgënjyer, nëpërmjet paraqitjes së tij satirike të mashtrimit të politikanëve.

“Pres të fitoj që në raundin e parë. U uroj fat të gjithë kandidatëve dhe Zoti e bëftë një garë të ndershme. Do ta shohim. Fitoftë më i miri, i cili jam unë”, tha zoti Luka Maksimoviç.

Megjithëse roli i presidentit në Serbi është më tepër ceremonial, nëpërmjet fitores zoti Vuçiç do të ruante kontrollin e partisë së tij në pushtet, Partia Progresive, duke ruajtur kështu edhe balancën delikate të deritanishme ndërmjet aspiratave të Serbisë për në Bashkimin Evropian, dhe marrëdhënies me Rusinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG