Lidhje

Votimi-provë në Aiova hap fushatën presidenciale


Votimi-provë në Aiova hap fushatën presidenciale
Votimi-provë në Aiova hap fushatën presidenciale

Gara për emërimin e kandidatit presidencial të Partisë Republikane për në zgjedhjet e 2012-tës shënoi menjëherë të papritura: njëri prej pretendentëve kryesorë tërheqet nga gara, ndërsa një kandidat tjetër hyn në të. Guvernatori i Teksasit Rik Peri njoftoi të shtunën kandidaturën, ndërkohë që ish-guvernatori i Minesotës Tim Polenti u tërhoq nga gara pas rezultatit të pakënaqshëm në të ashtuquajturin votim-provë në Aiova. Ligjvënësja nga Minesota Mishel Bakmën doli fituese dhe megjithëse rezultati i këtij votimi nuk kanë ndonjë vlerë konkrete për fituesin, ai është tregues i fuqisë organizative të kandidatëve dhe një sinjal për elektoratin republikan.

Restoranti Machine Shed në Urbandale të Aiovas është një ndalesë e preferuar e kandidatëve politikë që bëjnë fushatë eletorale.

Ndërsa vemendja largohet nga Aiova për pak muaj pas fitores së ligjvënëses Mishell Bakmën në votimin-provë, menaxheri i restorantit Alan Ruden thotë se votimi i së shtunës nuk ka ndonjë vlerë të madhe.

“Nuk ka rëndësi. Për mua, rruga përpara është ende e gjatë. Gjërat do të ndryshojnë. Votimi ndihmoi për ta lehtësuar disi fushën e lojës, duke eliminuar disa konkurentë. Megjithatë kemi ende 15-16 muaj deri në votime. Elektorati i Aiovas e di mirë se është tepër herët të për të vendosur se cilin kandidat do të mbështesin. Gjërat ndryshojnë”.

Debati mes kandidatëve republikanë dhe votimi-provë në Aiova e vënë këtë shtet relativisht të vogël të Amerikës në qendër të politikës kombëtare më shumë se një vit para zgjedhjeve presidenciale.

Në kafenenë e vogël Smokey Row në kryeqytetin e Aiovas, Dë Moin, ish ndërtuesi i shtëpive, pensionisti Ed Quick thotë se banorët e këtij shteti janë mësuar me vemendjen që u kushtohet në këtë sezon zgjedhjesh.

“Ne gjithnjë zhvillojmë votimin e parë. Nuk është diçka e pazakontë. Ne na kushtohet gjithnjë shumë vemendje dhe kjo ndihmon edhe ekonominë tonë”.

Shqetësimet për ekonominë ishin në krye të fushatës para votimit të së shtunës. Secili nga kandidatët u përpoq të bindë votuesit se ai ofron zgjidhjen më të mirë për situatën.

Por demokrati Majkëll Ficxherald, i cili kryeson Departamentin e Thesarit për Aiovan, thotë se ekonomia në këtë shtet nuk ka nevojë të rregullohet:

“Buxheti është i balancuar. Kemi një suficit prej 1 miliard dollarësh. Shteti ynë ka marrë vlerësimin maksimal për mbarëvajtjen e tregut financiar. Papunësia është në 6 për qind. Fermerët kanë qënë shumë të suksesshëm. Kjo tregon udhëheqje të shëndetshme. Presidenti Obama me politikat e tij e ka ndihmuar shumë Aiovan dhe është e rëndësishme për shtetin tonë që ai të vazhdojë të jetë president”.

Ish ndërtuesi i shtëpive, Ed Quick, i cili u detyrua të dilte në pension pas problemeve në tregun e shtëpive në vitin 2008, thotë se industria e tij, edhe në Aiova, vazhdon të vuajë.

"Unë punova në sektorin e ndërtimit të shtëpive të reja për rreth 30 vjet dhe e pashë që gjërat nuk po shkonin mirë. Bankat po u jepnin borxh njerzve, të cilët nuk mund të përballonin pagesat. Një gjendje e tillë nuk mund të vazhdonte gjatë dhe tani nuk shikoj shenja të rikthimit”.

Ekonomia dhe hapja e vendeve të punës ka të ngjarë të jenë tema e sezonit të zgjedhjeve paraprake, i cili fillon po në Aiova në fillim të vitit të ardhshëm.

Ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, i cili zuri vendin e tetë në votimin-provë të së shtunës në Aiova, thotë se zgjedhjet paraprake të këtij shteti kanë qenë gjithnjë objektiv i fushatës së tij.

“Objektivi ynë ka qenë janari dhe këtë tashmë e kemi filluar. Ne kemi disa mbështetës të fuqishëm, që po na ndihmojnë dhe mendoj se gjendja do të ndryshojë ndjeshëm në shtator”.

Dhe deri diku kjo ka filluar. Një kandidat tjetër, guvernatori i Teksasit Rick Perry, hyri të shtunën zyrtarisht në fushatën presidenciale dhe një ditë më pas, dje ish-guvernatori i Minesotës Tim Polenti u tërhoq nga gara. Ndërsa kandidatët presidencialë konkurojnë për personel dhe për fonde, ata kandidatë, që ishin në fund të rezultatit të votimit-provë në Aiova, mund ta gjejnë veten jashtë loje para se votuesit të kenë një mundësi tjetër për të votuar.

XS
SM
MD
LG