Lidhje

Vrasja e bin Ladenit shtron pikëpyetje: a bashkëpunoi Pakistani?

  • Carolyn Presutti

Vrasja e bin Ladenit shtron pikëpyetje: a bashkëpunoi Pakistani?

Vrasja e bin Ladenit shtron pikëpyetje: a bashkëpunoi Pakistani?

Shtëpia në Abotabad të Pakistanit, ku u gjet dhe u vra Osama bin Ladeni, është të paktën gjashtë herë më e madhe se sa shtëpitë e zakonshme aty pranë. Abotabadi është një qytet ku banojnë shumë nga ushtarakët pakistanezë që dalin në pension. Kjo ka ngjallur dyshime dhe ka shtruar pyetjen se si ka mundësi që autoritetet pakistaneze të mos e kenë ditur? Si ka mundësi që ata vetë nuk e kapën bin Ladenin?

Osama bin Ladeni banoi në këtë shtëpi të madhe të paktën nëntë muaj. Disa ekspertë mendojnë se ai ka jetuar aty 6 vjet, pra që kur kompleksi mbaroi së ndërtuari. Muri rrethues pesë metra i lartë ka sipër tij tela me gjemba. Mbi njërën nga dhomat mund të shikosh një antenë satelitore. Kompleksi është shumë më i madh se sa shtëpitë përreth. Ai gjendet në një distancë të shkurtër nga akademia ushtarake pakistaneze. Ish sekretarja e shtetit Condoleezza Rice, komenton:

"Kjo shtron pikëpyetje të rëndësishme, të cilave Pakistani duhet t’u përgjigjet, jo vetëm për ne por për veten e tij."

Pikëpyetje kanë edhe ligjvënësit në Uashington.

"Amerikanët pyesin, si ka mundësi që nuk u zbulua. A kemi të bëjmë këtu me një bashkëfajësi?" pyet republikani Patrik Mihan.

"Me gjithë paratë që kemi shpenzuar, si mund të krijojmë ne marrëdhënie besimi me presidentin e dobët pakistanez dhe me shërbimin e tyre të zbulimit që është i papërgjegjshëm?" kërkon të dijë demokratja Xheki Spajër.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Pakistanit 20 miliard dollarë që nga sulmet terroriste të vitit 2001. Sipas disa analistëve, Pakistani mendonte se paratë do të shterronin nëse bin Ladeni kapej. Të tjerë thonë se dorëzimi i bin Ladenit do të ishte një rrezik politik për Pakistanin.

Në një deklaratë qeveritare thuhet se Pakistani i dha CIA-s informacionet që i ndihmuan Shtetet e Bashkuara të gjente bin Ladenin.

"Ishim ne që ia treguam vendndodhjen e tij zbulimit amerikan dhe nuk lejuam që ai të ikte nga kompleksi," thotë komisioneri i lartë pakistanez në Britani, Waxhid Shamsul Hasan.

"Mendoj se fjala aleat nuk duhet përdorur më," thotë Lisa Kërtis që punon për Fondacionin Heritage. Sipas saj, Pakistani nuk bëri sa duhet për të gjetur terroristin më të kërkuar të botës:

"Kjo mund ta forcojë ndikimin e Presidentit Obama për të bindur Pakistanin që të ndërmarrë veprime më të forta ndaj terroristëve që ne e dimë se ndodhen atje."

Marrëdhëniet pakistanezo-amerikane u tensionuan në fillim të këtij viti kur Pakistani u kërkoi Shteteve të Bashkuara të pakësonin numrin e sulmeve me avionë pa pilot dhe të operativëve të CIA-s në Pakistan. Mirëpo, pa këta operativë, bin Ladeni mund të mos ishte eliminuar.

XS
SM
MD
LG