Lidhje

Vrasja e Presidentit Kenedi transformoi shërbimin sekret

  • Kane Farabaugh

Vrasja e Presidentit Kenedi transformoi shërbimin sekret

Vrasja e Presidentit Kenedi transformoi shërbimin sekret

Vrasja e Presidentit amerikan John F. Kennedy para 48 vjetësh më 22 nëntor 1963 , tronditi gjithë botën. Ishte hera e parë që nga viti 1901 – kur ishte vrarë presidenti Uilliam Mekinli – që një presiden amerikan humbte jetën nga plumbi i një vrasësi. Shërbimi Sekret përgjigjet për mbrojtjen e presidentit dhe familjes së tij. Vrasja, ashtu si edhe përpjekje të mëpasshme për vrasjen e Presidentëve Gerald Ford dhe Ronald Regan, sollën si rezultat ndryshime në mënyrën se si mbrohen Presidenti dhe familja e tij.

Më 22 nëntor, 1963 kur krismat u dëgjuan në Dallas, agjenti i Shërbimit Sekret Klint Hill ishte në pozicionin më të mirë për të reaguar. Analiza e tij për atë ditë është e thjeshtë.

“Nuk ka dyshim që ne dështuam në mbrojtjen e Presidentit Kennedy”.

Edhe Agjenti Xherald Blejn ishte në Teksas atë ditë, por jo në Dallas. Ai thotë se një pjesë e përgjegjësisë bie mbi mungesën e personelit të nevojshëm.

“Në vitin 1963, kishim 330 agjentë; 34 prej tyre mbronin anëtarët e familjes presidenciale”.

Agjentët dalloheshin menjëherë. Disa vrapuan ose mbetën në makina në autokolonën presidenciale. Por Blejn thotë se ata nuk mund të komunikonin me njëri-tjetrin.

“Ne nuk kishim radio. Komunikonim me sinjale me duar. Kishim fotografitë e subjekteve për të cilët kishim dyshime dhe atyre ua mësonim fytyrat përmendësh. Na duhej të mbështeteshim tek njëri-tjetri duke punuar së bashku si ekip”.

Shkrimtarja Lisa Mekubin bashkëpunoi me ish-agjentin Blejn për librin Agjentët Sekretë të Kenedit. Ajo thotë se dobësitë që dolën në pah nga vrasja e Kenedit sollën ndryshime në mënyrën sesi financohej Shërbimi Sekret.

Kjo i bëri të kuptonin sesa i rëndësishëm ishte misioni i tyre dhe ata arritën ta bindnin Kongresin t’u jepte më shumë para. Prej vitesh ata kishin kërkuar më shumë fonde, më shumë agjentë. Ata e dinin që nuk e mbronin dot Presidentin me aq personel sa kishin”.

Pas vrasjes së Kenedit, Klint Hill vazhdoi të punonte në Shërbimin Sekret. Ai u bë ndihmës drejtor dhe arriti të shihte ndryshimë në agjenci: nuk kishte më udhëtime në makina të hapura. U shtuan fondet dhe agjentët dhe komunikimi ishte më i mirë. Por Hill nuk i shpëntoi dot ndjenjës së fajit, pas vrasjes. Ai doli në pension në vitin 1975. Disa muaj më pas, dy herë pati atentate ndaj Presidentit Xherald Ford gjatë vizitave që ai bëri në Kaliforni.

Në vitin 1981, një tjetër katastrofë u shmang në momentin e fundit. Presidenti Ronald Regan, duke dalë nga një hotel në Uashington u godit nga John Hinckly. Regani u dërgua në një spital ku iu nënshtrua një operacioni që i shpëtoi jetën. Agjenti i Shërbimit Sekret Tim Mekarthi u plagos. Sekretari i shtypit u godit në kokë dhe pati pasoja të rënda. Por askush nuk vdiq. Mekarthi thotë se ky incident solli ndryshime të tjera.

“Pas këtij sulmi, u vunë në përdorim detektorët metalikë për të kontrolluar këdo që i afrohej presidentit. Që nga ajo kohë nuk ka pasur më sulme ndaj presidentëve nga vrasësi karakteristik që është një njeri i armatosur e që vepron i vetëm”.

Megjithëse vrasja e Presidentit Kenedi ishte një ngjarje transformuese për Shërbimin Sekret, incidentet e kohëve të fundit janë kujtesë se presidentët ende janë në shënjestër. Një 21 vjeçar nga Ajdaho është arrestuar se kishte qëlluar me disa plumba Shtëpinë e Bardhë më 11 nëntor.

XS
SM
MD
LG