Lidhje

17 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyçi


Në 17-vjetorin e vrasjes së tre vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, disa dhjetëra ekspertë të njohur që kanë punuar apo punojnë në nivelet më të larta qeveritare, akademike dhe shoqërinë civile, kanë nënshkruar një letër të hapur ku u kërkohet udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të angazhojnë qeverinë e Serbisë për zbardhjen e krimeve të luftës, duke përfshirë rastin e vëllezërve Bytyçi. Nënshkruesit theksojnë “shqetësimin e thellë lidhur me ritmin e ngadaltë të Serbisë në ndjekjet penale për krimet e luftës.” Kolegu ynë Kastriot Haxhiaj bisedoi me Praveen Madhiraju, përfaqësues ligjor i familjes Bytyçi dhe me Fatos Bytyçin, që kërkon drejtësi për vëllezërit e tij të vrarë në Serbi.

Në korrik të vitit 1999 Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, u arrestuan në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.Në vitin 2001, trupat e tre vëllezërve u gjenden në një varr masiv në fshatin Petrovo Selo në lindje të Beogradit.

17 vjet më vonë ende nuk është ndriçuar ky rast dhe nuk janë zbardhur krimet e luftës edhe pas ndërhyrjes së qeverisë amerikane dhe premtimeve nga udhëheqja e Beogradit. Praveen Madhiraju është përfaqësues ligjor i familjes Bytyçi.

“Kanë kaluar 17 vjet dhe ende nuk kemi parë askënd të bëhet përgjegjës për këtë rast. Nuk ka patur hetime të sukseshme apo serioze të kësaj çështje deri tani. Në këtë përvjetor kemi publikuar një letër të hapur për të tërhequr më shumë vëmendjen tek rasti në fjalë dhe dështimi i Serbisë për të trajtuar krimet e luftës në përgjithësi.”

Avokati thotë se gjatë dhjetë viteve të fundit ka patur shumë premtime por asnjë veprim konkret. Madje, -thotë ai, - vetë udhëheqja serbe pati bërë premtime publike, që u pasuan me premtime të ngjashme nga zyra e prokurorit serb.

Të njëtin mendim ndan edhe Fatos Bytyçi i cili prej vitesh vazhdon të kërkojë drejtësi për vëllezërit e tij.

“Qeveria e Serbisë nuk ka sinqeritet dhe besueshmëri për zbardhjen e këtij rasti.”

Qershorin e kaluar, kryeministri Vuçiç premtoi publikisht në Uashington për një zgjidhje të shpejtë të çështjes Bytyçi. Por sipas avokatit, nuk ka veprime konkrete pasi :

“Në thelb, nuk ka dëshirë të mjaftueshme politike. Kjo nuk është vetëm në rastin e vëllezërve Bytyçi. Është problem në tërë procesin e trajtimit të krimeve të luftës. Organizatat joqeveritare që kanë studiuar këtë çështe dhe madje edhe hulumtuesit nga OSBE-ja kanë arritur në të njëjtin konkluzion se kur flitet për krimet e luftës, Serbia nuk ka vullnetin e duhur politik”, thotë Praveen Madhiraju avokat i familjes Bytyçi.

Përfaqësuesi ligjor i familjes Bytyçi thotë se shoqëria civile në Serbi po bën një punë të mirë edhe pse shpesh gjendet nën trysninë politike.

“Natasha Kandiç, Qendra për të Drejtën Humanitare dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut; këto grupe po bëjnë punë të mirë. Por po të dëgjosh nga afër udhëheqjen serbe, këto grupe shpesh kritikohen dhe sulmohen publikisht. Udhëheqja serbe duhet të mbrojë këto organizata dhe jo kriminelët e luftës”, thotë zoti Madhiraju.

Nënshkruesit e letrës theksojnë se rekordi i Serbisë për zbardhjen e krimeve të luftës ka qënë i zymtë dhe i papranueshëm. Zoti Madhiraju thotë se udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara duhet ta marrin parasysh këtë dhe qeveria serbe nuk duhet lavdëruar pa ndërmarrë veprime konkrete për zbardhjen e krimeve të luftës dhe çështjen e vëllezërve Bytyçi. Fatos Bytyçi prej vitesh përpiqet për të sjellë drejtësi për vëllezërit e tij të vrarë.

“Qeveria amerikane e ka ngritur pa pushim çështjen e vëllezërve të mi. Ajo ka premtuar angazhimin për zgjidhjen e këtij rasti. Por fatkeqësisht nuk ka zhvillim të ri”, thotë Fatos Bytyçi.

“Prej disa vitesh kryeministri Vuçiç dhe presidenti Nikoliç janë vlerësuar se kanë shkëputur lidhjet me të kaluarën e tyre historike të lidhur ngushtë me kriminelët e luftës. Letra tërheq vëmendjen se i dyshuari kryesor në rastin Bytyçi, Goran Radosavljević (GURI) është ende shumë pranë qeverisë dhe kryeminstrit Vuçiç dhe presidentit Nikoliç. Kjo duhet të ndalohet. Këta dy udhëheqës nuk duhen vlerësuar për largimin nga e kaluara derisa të tregojnë përmes veprimeve se janë ndarë me kriminelët e luftës”, thotë Praveen Madhiraju avokat i familjes Bytyçi.

Përfaqësuesi ligjor i familjes Bytyçi thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të ushtrojnë presion dhe të kërkojnë veprime në vend të premtimeve nga Beogradi. Serbia, thotë zoti Madhiraju, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur me krimet e luftës. Pra duhet të jetë parakusht, thotë ai, para se Perëndimi të vlerësojë çështje të zbatimit të ligjit.

“Familja Bytyçi dhe qeveria amerikane nuk do të heqin dorë deri sa ky rast të zbardhet dhe kriminelët e luftës të vihen para drejtësisë”, thotë Fatos Bytyçi.

Të tre vëllezërit Bytyçi ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG