Lidhje

Mbulimi televiziv i vrasjes Kennedy-it


Para 50 vjetësh, lajmi për vrasjen e Presidentit John F. Kennedy u shkoi shumë amerikanëve nëpërmjet televizionit, një formë kjo relativisht e re e pasqyrimit të ngjarjeve. Por mbulimi që i bënë rrjetet televizive asaj që ndodhi në Dallas në vitin 1963, shërbeu si shembull për gazetarinë televizive amerikane në vitet që pasuan.

Kur gazetari Bob Huffaker filloi transmetimin për të njoftuar kalimin e makinës së Presidentit Kennedy nëpër Dallas, kjo shënoi një mënyrë të re për stacionin e tij, KRLD.

“22 nëntori 1963 shënoi herën e parë që ne filluam transmetimet televizive nga vendi i ngjarjes. Deri në atë kohë ne kishim transmetuar drejtpërdrejtë në radio, por kjo ishte dita e parë që ne dërguam pajisjet televizive në vendin e ngjarjes”.

Gazetat, me edicionet e përditshme në mëngjes dhe në mbrëmje, ishin ende burime popullore të lajmeve dhe informacionit, kujton ish gazetari i radiostacionit, Fort Worth Star-Telegram, Bob Schieffer.

“Amerikanët nuk i besonin plotësisht lajmet nëse nuk i shikonin në gazetë dhe kjo mënyrë ishte bërë zyrtare. Natyrisht që fundjava e vizitës së presidentit Kennedy në Dallas shënoi fillimin e transmetimeve në televizion, i cili u shndërua në mjetin më popullor të informimit”.

Transmetimet televizive gjatë 4 ditëve, nga vrasja e Presidentit Kennedy deri në varrimin e tij në Uashington, ishin një përzjerje faktesh, spekullimesh dhe dramash të drejtëpërdrejta, ndërsa miliona njerëz shikonin ngjarje të rëndësishme drejtëpërdrejtë, si për shembull vrasja e vrasësit të dyshuar të presidentit, Lee Harvey Oswald.

Profesori i historisë në Universitetin Southern Methodist, Jeffrey Engel thotë se gjatë pjesës më të madhe të atij mbulimi, populli amerikan mori një sasi të madhe informacionesh të pasakta.

“Ishte me të vërtetë një gjendje kaotike. Nuk dihej nëse vrasja ishte vepër e një personi të vetëm, apo një komplot ose një hap i frymëzuar nga sovjetikët apo një grusht shteti më i gjerë kundër qeverisë amerikane dhe vazhdimisht lajmet i transmetohen mjeteve të shtypit dhe ato bëjnë atë që duhet të bëjnë, ata dëgjojnë diçka dhe ia transmetojnë publikut”.

Huffaker thotë se ai u përpoq të ishte i qetë në këtë stuhi ngjarjesh të njëpasnjëshme mes një deti informimacionesh të pasakta.

“Ne ishim trajnuar të mos ishim sensacionalë. Po përqëndroheshim gjatë gjithë kohës në njoftimin e ngjarjeve në mënyrë sa më të qetë dhe në një farë mënyre inkurajonim botën që të ruante logjikën”.

Si rezultat, një rrjedhë e vazhdueshme faktesh rreth vrasësit të dyshuar, Lee Harvey Oswald, vinte nga konkurrenti i gazetarit Huffaker, Gary DeLaune i radiostacionit KLIF, i cili kishte një burim të informuar në policinë e Dallasit.

“Burimi donte që unë të mos e identifikoja atë, por në të njëtën kohë më jepte informacione që nuk ishin bërë ende publike dhe ne transmetonim buletine lajmesh nga departamenti i policisë dhe ata ishin gjithnjë të saktë”.

Por profesor Engel thotë se një analizë e mbulimit të ngjarjeve tregon për rreziqet e njoftimit të drejtpërdrejtë nën nxitjen e etjes së publikut për informacion.

“Gjatë orëve të para dhe ditëve të para pas vrasjes së presidentit, pati shumë informacione negative sepse media nuk ka kohë që të ndajë informacionet e sakta nga ato jo të sakta sepse mjeti i ri i informimit, televizioni, por deri diku edhe radioja duan ta informojnë publikun sa më parë. Ky është një rast klasik i asaj që ndodh sot në shumë raste kur informacioni përhapet më shpejt se sa njerëzit mund ta verifikojnë”.

Zoti Schieffer, i cili nga gazetar shtypi punoi si gazetar në televizion dhe më në fund si folës i lajmeve, thotë se transmetimet live në televizion gjatë vrasjes së presidentit Kennedy kishin një anë negative.

“U arrit në përfundimin se ky lloj transmetimi nuk ishte një proces dinjitoz. Njerëzit përdorën forma të ndryshme dhe pati shumë debate. Kjo bëri që njerëzit të vinin në pikpyetje raportimin e ngjarjeve dhe besueshmërinë e procesit të mbulimit”.

Por zoti Schieffer shton se kjo ishte hera e parë që publiku amerikan e përjetoi këtë proces dhe që prej atëhere është shtuar kërkesa për më shumë informacion dhe sa më shpejt.
XS
SM
MD
LG