Lidhje

Protesta dhe incidente pas vrasjes së 16 civilëve në Kandahar


Persona të armatosur qëlluan me armë zjarri në drejtim të një delegacioni të qeverisë afgane, që po vizitonte fshatin ku thuhet se një ushtar amerikan vrau 16 civilë afganë. Vrasja e civilëve ka ngjallur protesta kundër pranisë së trupave të huaja në Afganistan. Por Presidenti Obama përsëriti se tërheqja amerikane nuk do të përshpejtohet për këtë arsye, por do t’i përmbahet planit të tranzicionit të përgjegjësive në duart e afganëve:

Të paktën një polic mbeti i plagosur nga incidenti me armë zjarri ndaj delegacionit. Nuk është e qartë se kush qëlloi në drejtim të zyrtarëve afganë. Por ka shqetësime të përgjithshme për një shkallëzim të sulmeve hakmarrëse nga talebanët.

Situata ishte edhe sot e tensionuar, pas indinjitës që ka shkaktuar vrasja e 16 civilëve nga një ushtar amerikan. Qindra vetë dolën sot në protesta në Xhalalabad të Afganistanit lindor me thirrjet “Vdekje Amerikës”. Pjesa më e madhe e protestuesve ishin studentë. Disa prej tyre kishin në duar një parrullë ku kërkohej zhvillimi i një procesi gjyqësor publik për ushtarin e akuzuar për vrasje. Zyrtarët amerikanë e kanë identifikuar personin si një 38-vjeçar i martuar dhe me dy fëmijë, i cili ishte stërvitur si snajper dhe kohët e fundit kishte pësuar një plagë në kokë në Irak.

"I dënojmë vrasjet e kryera nga pushtuesi në Kandahar. Ne studentët e Universitetit Islamik të Nangarharit kërkojmë gjykimin e menjëhershëm të autorëve për vrasjen e martirëve në Kandahar”.

Vrasjet kanë ringjallur thirrjet për largimin e menjëhershëm të trupave të huaja nga Afganistani. Presidenti Obama ka reaguar në përgjigje të incidentit, duke shprehur ngushëllimet dhe keqardhjen e tij për viktimat dhe familjet e tyre. Por ai ka theksuar se ky incident nuk do të bëhet shkas për shpejtimin e planeve të tërheqjes së trupave.

“Pa diskutim, këtë fundjavë ndodhi një ngjarje tragjike. Fola me Presidentin Karzai dhe i shpreha ngushëllimet e mia si dhe e sigurova se ne i trajtojmë vrasjet e afganëve në të njëjtën mënyrë si i trajtojmë vrasjet e amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Por ka rëndësi që në këtë periudhë të tranzicionit të përgjegjësive në duart e afganëve, të mos nxitohemi për tërheqje, në një mënyrë që mund të rezultojë në kaos dhe shkatërrime më të mëdha, jo vetëm për Afganistanin dhe popullin afgan, por për të gjithë rajonin dhe sigurinë tonë”.

Presidenti përsëriti se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani brenda vitit 2014.

XS
SM
MD
LG