Lidhje

Vritet me atentat një gjyqtar i Gjykatës së Vlorës


Vritet me atentat një gjyqtar i Gjykatës së Vlorës
Vritet me atentat një gjyqtar i Gjykatës së Vlorës

Atentati i sotëm në Vlorë ka tronditur jo vetëm qytetin bregdetar por mbarë opinionin. Makina me të cilën po udhëtonte në bulevardin kryesor të qytetit, gjykatësi Skerdilajd Konomi, ka shpërthyer në orët e para të ditës, ndërsa ishte në lëvizje. Pjesë të saj janë shpërndarë në një rreze prej disa metrash në zonë. Persona të ndodhur aty pranë janë munduar të nxjerrin nga makina gjykatësin i cili thuhet se ishte ende gjallë në ato momente, por makina më pas ka marrë flakë. Dhe vetëm pas ndërhyrjes së zjarrfikëseve, trupi i gjymtuar i gjykatësit është dërguar në spital, pa asnjë shpresë për jetën.

Konomi punonte prej katër vjetësh në gjykatën e Vlorës. Ai kishte përfunduar shkollën e magjistraturës dhe merrej me cështje civile. Hetimet për ngjarjen e rëndë kanë përfshirë të gjitha pistat. Ato po udhëhiqen nga dy prokurorë të krimeve të rënda. Në ekzaminim po merren të gjitha dosjet që ka patur në shqyrtim Konomi në detyrën e tij si gjykatës. Ndërkohë një pistë tjetër mësohet se mund të jetë edhe ajo që lidhet me pronat e familjes së tij, së cilës së fundi i ishte njohur e drejta mbi sipërfaqe toke në një zonë turistike pranë Durrësit, ku sot jetojnë shumë familje të ardhura nga krahina të ndryshme të vendit. Megjithatë, gjithçka deri tani mbetet vetëm si variant fillestar. Zyrtarisht nuk është njoftuar asnjë motiv i mundshëm i sulmit të egër ndaj gjykatësit të ri.

Ngjarja provokoi reagime të menjëhershme të të gjitha autoriteteve. Presidenti Bamir Topi, pak pas shpërthimit foli për “një sulm mafioz dhe brutal, një atentat ndaj sistemit të drejtësisë, shtetit ligjor dhe demokracisë. "Atentati ndaj një gjyqtari", shprehet ai në një deklaratë, "përbën kërcënim për shoqërinë dhe institucionet e shtetit”. Pasdite Presidenti Bamir Topi thirri në një takim kryeprokuoren Ina Rama, drejtorin e përgjithshëm të Policisë Hysni Burgaj dhe drejtorin e shërbimeve sekrete Bahri Shaqiri për të kërkuar informacion të detajuar mbi ngjarjen e rëndë e duke kërkuar “angazhimin maksimal të këtyre institucioneve për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve e vënien e tyre para drejtësisë”.

Atentati ndaj gjyqtariy u dënua me ashpërsi dhe nga Kryeministri Sali Berisha i cili foli për “një akt kriminal të shëmtuar”. “Një sulm ndaj shtetit”, e cilësoi nga ana e saj kryetarja e parlamentit ngjarjen, ndërsa për partinë socialiste “ngjarje si kjo ku dora e krimit nuk ngurron të vrase përfaqësuesit më të lartë të këtij shteti janë të papranueshme dhe përbëjnë një sinjal alarmi për mbarë qyetarët e këtij vendi”.

Reagime të ashpra erdhën edhe nga komuniteti i njerëzve të drejtësisë. Kreshnik Spahiu, nënkryetar i Këshillit të lartë të Drejtësisë tha se ky sulm ndaj Drejtësisë duhet të sjellë reflektim të menjëhershëm për veprimet e mëtejshme që duhet të ndërmerren në mbrojtje të gjyqësorit: “Dëshiroj të dënoj publikisht dhunën ndaj gjyqtarëve nëpërmjekt këtij ekzekutimi terrorist, i cili nuk ndodh dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë vend, ku funksionon rendi dhe siguria”.

Unioni i gjyqtarëve u shpreh se sulmi ka mbjellë një klime terrori të pashembullt që synon frikësimin e të gjithë sistemit të drejtësisë. Për shoqatën e prokurorëve bëhet fjalë për “një atentat terroristo-mafioz”, duke e cilësuar si “ngjarjen më të rëndë që ka ndodhur ndaj një përfaqësuesi të sisitemit të drejtësisë”.

Policia e Vlorës njoftoi sot pasdite se ka vënë 100 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion mbi autorët e ngjarjes tronditëse dhe ka vënë në dispozicion dy numra telefoni.

XS
SM
MD
LG