Lidhje

Vritet në vendin e tij të punës, drejtori i arsimit të Prishtinës


Vritet në vendin e tij të punës, drejtori i arsimit të Prishtinës
Vritet në vendin e tij të punës, drejtori i arsimit të Prishtinës

Sot në orët e paradites në Prishtinë është vrarë drejtori i drejtorisë së arsimit të komunës së Prishtinës, Remzi Salihu. Pak para orës 10 sipas kohës lokale, autori i vrasjes i cili nga policia i identifikua si Gani Sahiti, ka hyrë në mjediset e punës së drejtorisë së arsimit duke qëlluar me armë zjarri mbi viktimën i cili ka ndërruar jetë pak minuta më vonë.

Policia tha se ka arrestuar autorin e kësaj vrasjeje, një arsimtar rreth të tridhjetave, por nuk foli për motivet e mundshme të vrasjes. Zyrtarë të komunës së Prishtinës thanë se vrasja mund të jetë motivuar nga fakti se autori i vrasjes kishte konkurruar për postin e drejtorit të një shkolle por nuk kishte fituar.

Vrasja ka nxitur reagime në shkallë të gjerë. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se “kjo është e patolerueshme dhe shprehë nivelin e ultë të marrëdhënieve në shoqëri dhe flet për nevojën e forcimit të sundimit të ligjit si parakusht për jetë të qetë e normale për secilin qytetar”.

Ndërsa qeveria e Kosovës duke e dënuar vrasjen e ka cilësuar atë si “një sulm të rëndë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe cenim të rëndë të integritetit të zyrtarit institucional në vendin e tij të punës”.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se “kjo është ngjarja më e shëmtuar që mund t’i ndodhte Kosovës”. Ai tha se kjo është “një mesazh për vendosmëri më të lartë të institucioneve të vendit në luftën kundër krimit”.

Vrasja është dënuar nga Ministria e Arsimit e partitë politike, ndërsa në shenjë proteste shkollat në Prishtinë kanë ndërprerë mësimin.

XS
SM
MD
LG