Lidhje

Kryeministri serb në Tiranë


Vizita e parë e kreut të një qeverie serbe në kryeqytetin shqiptar. Pas bisedimeve me kryeministrin shqiptar Edi Rama, zoti Aleksandar Vuçiç do të pritet nga autoritetet më të larta të vendit

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç po qëndron në Tiranë, në të parën vizitë zyrtare të një kryetari qeverie të Serbisë në kryeqytetin shqiptar. Ai u prit me të gjitha nderimet protokollare në Pallatin e Brigadave, ku së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, palët do të zhvillojnë afër një orë bisedime.

Takimi është paraprirë nga deklarata me tone të matura nga të dy kryeministrat në intervista të ndryshme, ku fokusi ka qenë nevoja e bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Rama është shprehur mese një herë se “shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë për rajonin e Ballkanit atë që Franca dhe Gjermaninë bënë për Europën”.

Klima e aktuale është shumë larg tensionit që i parapriu takimit të parë mes dy kryeministrave në Beograd, pas acarimit të papritur që shkaktuan incidentet në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes mes kombëtareve të futbollit të të dy vendeve. Deklaratat e kryeministrit Rama për Kosovën në Beograd, u duk se e rënduan edhe më tepër atmosferën e nderë. Por gjithçka kaloi, shpejt. Të dy kryeministrat u takuan sërish një muaj më pas po në Beograd, dhe para disa javësh edhe në Bruksel.

Përveç se me kryeministrin Rama, zoti Vuçiç do të ketë takime dhe me përfaqësuesit e tjerë të lartë të shtetit shqiptar. Ndonëse presidenti serb Tomislav Nikoliç, shmangu një takim me zotin Rama në Beograd, presidenti shqiptar Bujar Nishani përkundrazi, do ta presë kreun e qeverisë serbe, i cili do të takojë gjithashtu dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta si dhe kreun e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Për vizitën e sotme janë marrë masa të rrepta sigurie. Përgjatë rrugës nga aeroporti Nënë Tereza deri në qendër të Tiranës dhe pranë institucioneve ku do të shkojë kryeministri Vuçiç, nuk do të lejohet parkimi i makinave, madje në një pjesë të këtyre akseve nuk do të lejohet as qarkullimi.

Mbi 1000 forca policore dhe të njësive speciale do të angazhohen në ruajtjen e sigurisë, ndërsa helikopterë të ushtrisë do të bëjnë patrullime nga ajri.

XS
SM
MD
LG