Lidhje

Vuçiç: Çështja Bytyçi do të zgjidhet shpejt


Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se çështja e vrasjes së vëllezërve Bytyçi në vitin 1999 do të zgjidhet së shpejti. Ai i bëri komentet përpara një audience në Institutin Johns Hopkins, ku foli edhe për marrëdhëniet me Kosovën dhe çështje të tjera.

Vucic ne Uashington
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:10 0:00

Kryeministri serb Vuçiç tha se vrasja e tre vëllezërve me shtetësi amerikane që kishin luftuar për UÇK-në, ishte një krim i tmerrshëm. Në një konferencë të mbajtur të enjten në Uashington, zoti Vuçiç nuk e quajti këtë çështje një pengesë të madhe në marrëdhëniet me SHBA, por tha se Serbia do të bëjë detyrën e saj.

“Kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe shumë më shpejt sesa mund të pritet. Mos u shqetësoni, ne do ta zgjidhim atë dhe mendoj se është detyra jonë për ta zgjidhur,” tha kryeministri i Serbisë.

Avokatë të familjes Bytyçi, e kanë akuzuar kryeministrin Vuçiç për pengesa në zbardhjen e këtij krimi. Nga ana e saj qendra për të drejtën humanitare në Beograd thotë se sipas dëshmive, vrasja e vëllezërve Bytyçi, është urdhëruar nga qarqe të larta duke përfshirë gjeneralin e policisë Goran Radosavlleviç, aktualisht anëtar i këshillit drejtues të partisë së Kryeministrit Vuçiç.

Daniel Serwer, ekspert i Institutit SAIS pranë Universitetit Johns Hopkins, i cili moderoi konferencën, tha se kjo është një çështje mjaft e komplikuar dhe e vështirë për zotin Vuçiç.

“Jam mjaft i sigurt se ai do të donte që çështja të zgjidhej para se ai të vinte në Uashington. Megjithatë, ai bëri një premtim të qartë për ta zgjidhur dhe kjo nënkupton nxjerrjen para drejtësisë jo thjesht dikë, por persona të rëndësishëm pjesmarrës në vrasjen e vëllezërve Bytyçi,” tha eksperti.

Duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, zoti Vuçiç tha se qeveria e tij ka arritur shumë në procesin e dialogut. Ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte kusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian:

“Ne flasim me njëri-tjetrin shumë shpesh. Mendoj se jam takuar të paktën 40 herë me zotin Isa Mustafa dhe zotin Hashim Thaçi dhe tani ne mund të diskutojmë për çdo çështje. Ne kemi shtuar lidhjet ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës, por po të më pyesni nëse do ta njohim pavarësinë e Kosovës, ne nuk e kemi patur një kërkesë të tillë (nga vendet anëtare të BE-së). Kjo nuk do të ishte realiste dhe nuk mund t’ju them se do ta bënim,” tha zoti Vuçiç.

I pyetur se si do t’i interpretonte këto komente, zoti Daniel Serwer tha se Kryeministri serb nuk premtoi njohje të Kosovës, por as nuk e përjashtoi atë:

“Nga pikëpamja serbe, tani nuk është koha e përshtatshme për t’u marrë me këtë çështje. Nga pikëpamja amerikane, tani është pikërisht koha e duhur. Mendoj se do të ishte më mirë që kjo të trajtohet herët në procesin e anëtarësimit në BE se sa më vonë. Mendoj se të 23 vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën, vështirë se do të ishin të gjitha dakord për pranimin e Serbisë para se ajo të njihte Kosovën,” tha zoti Serwer.

Zoti Vuçiç foli në konferencë edhe për marrëdhëniet me Rusinë dhe synimet e Beogradit drejt BE-së. Ai tha se “Serbia dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me rusët, ata janë miqtë tanë tradicionalë, por synimi ynë strategjik është të jemi pjesë e Bashkimit Evropian.”

“Kjo është shumë e qartë dhe nuk është politikë balancimi, me të cilën mund të shkosh një herë në njërën anë dhe një herë në anën tjetër. Ne jemi në rrugën tonë evropiane dhe nuk duam të jemi pjesë e ndonjë bashkimi euroaziatik,” tha zoti Vuçiç.

Duke folur për çështjen e ndalimit të eksporteve bujqësore drejt Rusisë për rolin e saj në Ukrainë, zoti Vuçiç tha: "Çfarë do të merrnim ne nga BE-ja nëqoftëse do të ndalnim eksportet bujqësore drejt Rusisë? Kush do të na kompensonte ne?"

Lidhur me NATO-n, ai tha se vendi i tij ka marrëdhënie shumë të mira me aleancën, por deri tani nuk ka aspirata për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, për arsye të ngjarjeve të vitit 1999. Ai nënkuptoi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, për shkak të rolit të saj në fushatën kundër shqiptarëve në Kosovë. Por, zoti Vuçiç tha se nuk e dinte se ç’do të ndodhte në të ardhmen përsa i përket anëtarësimit.

Dje, zoti Vuçiç u prit në Kongresin amerikan nga senatori John McCain, i cili tha se SHBA mund të ndihmojnë nga pikëpamja ekonomike, diplomatike dhe me shumë mënyra të tjera procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

I pyetur për vizitën e zotit Vuçiç në Uashington, eksperti i Komisionit amerikan të Helsinkit pranë Kongresit amerikan, Bob Hand, tha se kjo vizitë është një shenjë se Serbia kërkon të ketë marrëdhënie të mira me SHBA.

“Edhe SHBA e kanë bërë të qartë se duan marrëdhënie të mira me Beogradin, por ka disa çështje, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, ku ekzistojnë shqetësime. Është e nevojshme të shihen veprime konkrete dhe jo vetëm premtime në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjes së vrasjes së vëllezërve Bytyçi,” tha zoti Hand.

Vuçiç në Zërin e Amerikës, për rastin Bytyci dhe marrëdhëniet serbo-shqiptare

Në një intervistë dhënë shërbimit serb të Zërit të Amerikës, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se Serbia do të çojë në vend drejtësinë në rastin e vëllezërve Bytyçi.

Sa i përket rastit të vëllezërve Bytyçi, për njerëzit që nuk e dinë, bëhet fjalë për tre vëllezër që janë vrarë dhe ishin të dënuar në gjykatën tonë për kundërvajtje me 15 ditë heqje lirie sepse nuk kishin viza, ndonëse ata njerëz ishin përpjekur që nga territori i Kosovës të nxjerrin një serb. Në Prokuple janë dënuar dhe në ditën e 15, disa njerëz tanë i kanë marrë dhe i kanë dërguar në Serbinë lindore dhe atje, pak është të thuhet gjakftohtësisht, mizorisht i kane likuiduar. E di që në Serbi kur e thoni këtë nuk është popullore dhe që njerëzit do të thonë ‘lëre se ata janë Bytyçi? Ç’dëshironi tash ju?’ Në këtë nuk mund ta lejojmë. Mendoj se ka disa fakte të reja apo disa dëshmi të reja që flasin për autorët e atij krimi. Serbia, detyrimet e saj, jo ndaj ndonjë vendi tjetër, por ndaj drejtësisë dhe të drejtës do t’i përmbushë”.

Ai tha ndërkaq se nuk ka pasur trysni nga zyrtarë amerikan për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por çështja është biseduar në takimet me senatorë e ligjvënës që mbajnë një qëndrim të tillë. “Natyrisht, Amerika e ka njohur Kosovën dhe ata duan që sa më shumë vende ta njohin Kosovën. Unë e thashë edhe sot në John Hopkins, i kam thënë edhe ligjvënësit (Eliot) Engelit se i kuptojmë pikëpamjet tuaja por qëndrimet tona janë të tjera. Atë që ata e respektojnë është dialogu me Prishtinën, duan përparime në ato bisedime. Duan marrëdhënie të mira ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë dhe marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve i shohin si shtyllën kurrizore të marrëdhënieve të ardhshme në Ballkan, Ata e respektojnë faktin që kemi shkuar në Tiranë, që kemi pranuar Edi Ramën, posaçërisht pas asaj situatës së rëndë në stadiumin në Beograd. Kjo është diçka për të cilën Beogradi përfiton mbështetje në Shtetet e Bashkuara sepse këtu njerëzit dinë edhe të shprehin respekt e jo vetëm të kritikojnë veprimet që vlerësojnë se janë të rëndësishme. Unë u kamë thënë një gjë dhe mendoj se ata pajtohen me mua se marrëdhëniet ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe serbëve e shqiptarëve, nuk do të jenë problemi më i madh e më i rëndë në Ballkan dhe sigurisht jo vatër e konfliktit të madh apo të ngjashme. Mendoj se ka disa vatra tjera në Ballkan që janë potencialisht më të mëdha e më të rrezikshme sesa që janë aktualisht marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që nuk janë ideale, që mund të ishin gjithmonë më të mira, por po shkojnë në një drejtim shumë më të mirë sesa që ishin në të kaluarën”.

Kryeministri serb tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimet evropiane të Serbisë, e cila shpreson hapjen e shpejt të kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çështja e hapjes ë kapitujve kushtëzohet me përparimet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Mendoj se pavarësisht që ka kushte, kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe deri më 23 qershor duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë që të arrijmë ndonjë rezultat në bisedimet me shqiptarët e Kosovës. Amerika do të mbështeste këtë dhe mendoj se do të kishin më shumë “municion” që të kërkojnë hapjen e kapitujve nga partnerët e tyre dhe partnerët tanë evropian. Kur e keni mbështetjen e Amerikës, nëse mund t’ia zë vetes për të madhe si dhe shumë politikanëve të tjerë serbë, është se nuk e kemi kuptuar mirë rëndësinë e Shteteve të Bashkuara, Kjo nuk është çështje emocionesh, por tërësisht racionale dhe më duket se nuk e kemi kuptuar mirë. Qasja jonë dhe mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara do të ndihmojë edhe përshpejtimin e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian. Dhe për këtë Washingtoni është destinacion jashtëzakonisht i rëndësishëm për neve dhe këtu duhet të krijojmë besim. Por, këtu nuk mund të mashtroni askënd, ta gënjeni, nuk ka rëndësi nëse jeni më i afërt politikisht, apo nëse dikush ju do më pak apo më shumë. Thjeshtë këtu mund të vini me fakte çfarë keni bërë apo nuk keni bërë”, tha kryeministri serb.

XS
SM
MD
LG