Lidhje

Vullnetarët e AmeriCorps në zonat e goditura nga Isaac


Këta vullnetarë janë kryesisht të rinj të sapo-diplomuar që janë regjistruar për të ndihmuar në raste emergjencash kombëtare

Uragani Isaac nuk mund të krahasohet me shkatërrimin masiv që la pas Uragani Katrina në vitin 2005. Megjithatë, edhe këtë radhë një numër i madh banorësh u zhvendosën nga përmbytjet dhe ndërprerja e energjisë. Stuhia ka kaluar tashmë dhe në zonë kanë ardhur plot vullnetarë për të ndihmuar banorët që kanë nevojë për ushqime dhe strehim:

Uragani Isaac shkaktoi përmbytje masive në komunitetet rurale pranë Nju Orlinsit, duke detyruar mijëra vetë të evakuoheshin.

Tani shoqata e vullnetarëve AmeriCorps është angazhuar duke bashkërenduar përpjekjet e ndihmave në disa komunitete në veri të qytetit.

Pjesa më e madhe e vullnetarëve janë të rinj të sapo-diplomuar, të cilët janë regjistruar për të shërbyer në këtë program qeveritar që ofron ndihmë në raste katastrofash si dhe shërbime në komunitete në të gjithë vendin.

Patrick Hess u regjistrua dy muaj më parë. Ai po ndihmonte për të rindërtuar shtëpi të shkatërruara në Nju Orlins nga Uragani Katrina i vitit 2005, kur e thirrën për të ndihmuar viktimat e Uraganit Isaac.

“Jam nga Virxhinia. Atje nuk kemi probleme nga uraganët apo katastrofa të tjera të mëdha. Kam ndeshur në probleme të vogla, por kurrë përmbytje të tilla”.

Për Samantha Perez, puna në qendrën e të evakuuarve zgjon kujtime të dhimbshme. Ajo është nga Nju Orlins dhe familja e saj u detyrua të largohej gjatë Uraganit Katrina. Ajo thotë se këtë radhë ka mundësi të japë ndihmesë ashtu siç e ndihmuan atë kur ndodhi Katrina:

“Na thirrën dhe erdhëm për të ndihmuar. Punojmë 16 orë në ditë. E ndjen që po bën diçka me vlerë, po bën ato që të kërkuan të bësh”.

Megjithëse është një punë raskapitëse, vullnetarët thonë se kanë përfituar prej saj po aq sa edhe kanë dhënë, pasi po mësojmë gjëra të reja për botën dhe veten e tyre.
XS
SM
MD
LG