Lidhje

Wammen: 24 maji, provë për Shqipërinë


Në Tiranë, ministri danez për Çështjet Europiane Nicolai Wammen ritheksoi sot se 24 maji do të jetë një provë për Shqipërinë, duke ju bashkuar kështu thirrjeve të djeshme të komisionerit europian për Zgjerimin Stefan Fyle.

Ministri Wammen, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit europian, tha se është përgjegjësi e të gjitha palëve që të përmbyllin brenda 10 ditëve të ardhshme, reformat për të cilat ishte rënë dakort në marrëveshjen e nëntorit.

Reforma elektorale dhe zgjedhjet e drejta dhe të ndershme janë çështje thelbësore, nënvizoi ministri danez, duke shtuar se e njëjta gjë mund të thuhet për shtetin ligjor, për luftën kundër korrupsionit, për luftën kundër krimit të organizuar. Një provë e rëndësishme e aftësisë së Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat, theksoi ai, do të jetë pikërisht mënyra se si ajo i trajton këto çështje.

Ministri danez deklaroi se me vëmendje do të ndiqet edhe procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit duke nenvizuar se Bashkimi europian ka pritshmëri të mëdha dhe standarde të larta në lidhje me atë që do të ndodhë, duke e cilësuar si një provë të parë që duhet të kalohet me sukses.

XS
SM
MD
LG