Lidhje

Një fotografe dokumenton vuajtjet e grave nga luftrat


Vrasja e fotoreporteres franceze Camille Lepage këtë muaj në Republikën e Afrikës Qendrore nxorri në pah rreziqet me të cilat përballen gazetarët, që përpiqen t’i sjellin botës imazhet e luftrave. Fotografja Marissa Roth ka kaluar 30 vjet duke dokumentuar ndikimin shkatërrues të luftës tek gratë dhe fëmijët. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan nga Los Angeles, fotografitë e saj tregojnë si vuajtjet që shkakton lufta, ashtu edhe qëndresën e shpirtit njerëzor.

Disa anëtarë të familjes së Marissa Rothit kanë humbur jetën në Holocaust dhe ajo është e prirur të pasqyrojë historitë e atyre që mbijetuan. Ajo ka fotografuar shumë prej tyre për Muzeun e Qendrës Simon Wiesenthal për Tolerancën në Los Angeles.

Si ish-fotoreportere, asaj i është dashur shpesh të shkojë në zona lufte.
Një fotografi e vitit 1988 e grave dhe femijëve refugjatë në Pakistan, bën pjesë në koleksionin që iu sugjerua nga një kolege.

“Ajo më tha 'Është një histori së cilës askush nuk po i kushton rëndësi’. Bëhej fjalë për fundin e luftës 10 vjecare mes Bashkimit Sovjetik dhe Afganistanit. Dhe më tha ‘ka 100 mijë gra afgane të veja të luftës dhe askush nuk flet për to’. Dhe unë mendova, unë dua të flas”.

Misioni i saj për të dokumentuar, e çoi ate në Shqipëri, në një kamp refugjatësh nga Kosova, si edhe në Japoni, ku takoi të mbijetuar të Hiroshimës. Në Irlandën e Veriut, ajo fotografoi dikë që dikur hidhte bomba dhe tani ishte kthyer në aktivist dhe një grua që kishte humbur të shoqin nga dhuna sektare dhe që e bëri fotografen Roth të mendojë.

“Ajo më tha: 'Jam e sigurt që gratë janë njëlloj kudo'. Kështu, unë mësova shumë nga subjektet e mia, sepse mendova: Ajo ka të drejtë. Dhe mendoj se të përbashkëtat janë themelet absolute të jetës. Çka do të thotë të ndërtosh një shtëpi, një vatër, të kujdesesh për shëndetin she sigurinë e fëmijëve, për familjet”.

Nga Ballkani në Pakistan dhe Azinë Juglindore, ajo ka pasqyruar plagët e luftës, përfshirë viktimat dhe të mbijetuarit e brutalitetit të Kmerit të Kuq në Kamboxha, dhë fëmijë në Vietnam të lindur me defekte, shkaktuar nga Agjenti Portokalli. Roth tregon edhe dhimbjen e nënave amerikane që kanë humbur bijtë e tyre në Irak.
Ajo thotë se mes trishtimit, karakteri i të mbijetuarve e ka befasuar.

“Shpirti njerëzor është diçka e jashtëzakonshme dhe pavarësisht nga lufta, çmenduria dhe shkatërrimi, njerëzit vazhdojnë të jetojnë”.

Së fundmi, puna e ka çuar Rothin në anën tjetër të botës, këtë radhë për të dokumentuar një kulturë të rrezikuar. Ajo po boton një libër me fotografi nga Tibeti, duke nxjerrë në pah fenë budiste, artin e tij dhe njerëzit.

Ekspozita e saj “Lotët e një njeriu: Gratë dhe Lufta” sapo ka mbaruar së shfaquri në Oradur-syr-Glanë në Francë, vendi i një masakre nga trupat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita hapet në qershor në një park përkujtimor për veteranët në shtetin amerikan Wisconsin.
XS
SM
MD
LG