Lidhje

Uashington, Muzeu Afrikano-Amerikan


Në parkun qendror të Uashingtonit, një ndër adresat më prestigjoze në Shtetet e Bashkuara, është shtuar një ndërtesë e re. Është Muzeu Afrikano-Amerikan, një nga muzeumet e Institutit Smithsonian që i shtohet listës së gjatë të objekteve kulturore e shkencore në kryeqytetin amerikan. Kanë kaluar 100 vjet që nga momenti kur u ngrit fillimisht ideja për një muze afrikano-amerikan. Kjo ide është realizuar tashmë dhe muzeu do të inaugurohet më 24 shtator.

Skeleti metalik ngjyrë bronxi e bën ndërtesën të dallohet qartë mes strukturave të bardha që radhiten përgjatë parkut qendror të Uashingtonit. Ky është muzeu i vetëm amerikan që i përkushtohet eksperiencës afrikano-amerikane në Shtetet e Bashkuara:

“Muzeu në parkun qendror, apo siç e quajmë ndryshe në oborrin e Amerikës, do të përmbushë ëndrrat e shumë brezave që besonin se Amerika do të bëhej më e mirë nëse e kuptonte, nëse ballafaqohej dhe e përqafonte eksperiencën afrikano-amerikane,” thotë drejtori i muzeut, Lonnie Bunch.

Sekretari i Institutit Kulturor-Shkencor Smithsonian, David Skorton shpjegon se muzeu shtjellon zhvillimin e Shteteve të Bashkuara nga këndvështrimi i afrikano-amerikanëve:

“Muzeu eksploron identitetin tonë kombëtar përmes lenteve që reflektojnë përvojën jetësore të afrikano-amerikanëve në vite. Shtjellon historitë e tyre përmes artifakteve dhe veprave të artit; përmes zërave dhe shkrimeve të tyre; përmes kurajos, vendosmërisë, novacionit dhe udhëheqjes”.

Shumë nga ekspozitat nuk janë përfunduar plotësisht dhe punëtorët po bëjnë rregullimet e fundit. Edhe në momentin e hapjes së muzeut, do të ketë ambjente të pashfrytëzuara plotësisht, pasi muzeu do të vazhdojë të pasurohet me objekte dhe artifakte.

Ndërtesa u projektua nga arkitekti me origjinë nga Gana, David Adjaye. Struktura është e rrethuar nga 3600 panele alumini të lyera ngjyrë bronxi, që të kujtojnë punimet artistike prej hekuri që realizuan skllevërit në lagjen tradicionale të Nju Orlinsit. Muzeu u ndërtua me fonde të ofruara nga qeveria federale dhe Instituti Smithsonian.

Për momentin Muzeu Afrikano-Amerikan ka 36 mijë objekte koleksionimi, si për shembull mallra që përdoreshin për shkëmbim në natyrë nga tregtarët që blenin skllevër në Afrikë, një vagon treni që tregon ndarjen racore në vitet 1920, e deri tek një kadillak të kuq që dikur e ngiste Chuck Berry, që konsiderohet nga shumë vetë si babai i rok en rollit.

Një nga ekspozitat ka objekte të kitaristit të famshëm Bo Didley. Djali i tij Ellas McDaniel shprehet me krenari për nderimin që i bëhet të atit:

“Kur isha i vogël më merrte malli për të, pasi ikte për koncerte. Ai kishte rok e rollin në gjak. Bo Didley futi rokun në rok en roll”.

Një kabinë ku jetonin skllevërit në Karolinën e Jugut, dorezat e boksit të Muhamet Aliut, fustani të cilin kishte veshur sopranoja Marion Anderson kur këndoi për Pashkë në 1939 tek Monumenti i Linkolnit, të gjitha këto dëshmojnë se muzeu shtjellon jo thjesht historinë e një populli të robëruar dhe të sjellë në Amerikë kundër dëshirës, por edhe historinë e ngadhënjimit, gjurmën që lanë afrikano-amerikanët në pajsazhin kompleks të Amerikës.

Hapja e muzeut do të shoqërohet me një program koncertesh që do të vazhdojnë për tri ditë. Në skenë do të interpretojnë një numër emrash të njohur të artit, ndër të cilët grupi rep Public Enemy, banda e xhazit Preservation Hall, grupi hip-hop Living Colour dhe grupi a capella Sweet Honey in the Rock, për të nderuar kontributin afrikano-amerikan në artin amerikan.

XS
SM
MD
LG