Lidhje

Bota ndjek krizën në Uashington

  • Zllatica Hoke

Ndërsa kriza e buxhetit të qeverisë amerikane hyn në javën e dytë, ekzistojnë shqetësime se rivalitetet mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres mund të shkaktojnë mos pagimin e borxheve nga Shtetet e Bashkuara, gjë që do të shkaktonte dëme të mëdha ekonomike në Amerikë dhe në mbarë botën.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner ka lënë të kuptohet se ai mund të lejojë që Shtetet e Bashkuara të mos paguajnë detyrimet financiare për herë të parë në historinë amerikane nëse Presidenti Barack Obama refuzon të bëjë kompromis mbi shpenzimet federale. Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin kufirin e borxhit deri më 17 tetor për të qënë në gjendje të paguajnë detyrimet financiare për fonde tashmë të shpenzuara.

Presidenti Obama thotë se është i hapur për negociata me republikanët mbi këtë çështje, por jo mes kërcënimesh të tilla:

“Ne nuk do të negociojmë nën kërcënimin e një dëmi edhe më të madh për ekonominë tonë dhe familjet e klasës së mesme. Ne nuk do të negociojmë nën kërcënimin e mbylljes së zgjatur të qeverisë deri sa republikanët të sigurojnë 100 për qind të kërkesave të tyre. Ne nuk do të negociojmë nën kërcënimin e një katastrofe ekonomike, për të cilën paralajmërojnë ekonomistët, nëse Kongresi vendos të mos paguajë detyrimet e Amerikës”.

Analistët thonë se zgjatja e mbylljes së qeverisë mund të ketë ndikime të dëmshme për ekonominë amerikane, por ata shtojnë se mos pagimi i detyrimeve financiare do të ishte diçka edhe më negative.

Klaus Larres, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Karolinës së Veriut, thotë se pasojat do të jetë të rënda për gjithë botën, e cila ende po rimëkëmbet nga një krizë e rëndë financiare:

“Mendoj se recesioni i madh do të kthehet me pasoja të rënda dhe ne do të përballemi përsëri me vështirësi ekonomike dhe financiare. Unë do të doja të paralajmëroja se problemi i ngritjes së kufirit të borxhit nuk duhet të përzjehet me mbylljen e qeverisë”.

Profesor Larres thotë se mospagimi i borxhit nga ana e Shteteve të Bashkuara do të ketë pasoja të menjëhershme, që do të ndjehen në gjithë botën. Për shembull, mund të dëmtojë pozitën e dollarit amerikan si monedhë globale, madje edhe rolin e Shteteve të Bashkuara si ekonomia më e fuqishme e botës:

“Nuk ka ndodhur kurrë më parë që një vend i madh si Shtetet e Bashkuara, një superfuqi kryesore, të mos paguajë detyrime e saj financiare për arsye teknike, sepse nga që Shtetet e Bashkuara ende janë një vend shumë i pasur, fondet janë të disponueshme”.

Por edhe ekonomi të tjera mund të preken. Kina është e shqetësuar rreth investimeve prej më shumë se 1 trilion dollarësh në Shtetet e Bashkuara dhe i ka bërë thirrje Uashingtoni që të ngrejë kufirin e borxhit.

Profesori i Universitetit të Karolinës së Veriut Larres thotë se pjesa më e madhe e botës e ka të vështirë ta kuptojë krizën amerikane, veçanërisht vendet me qeveri autoritare, si Kina dhe disa vende të tjera të Azisë Lindore:

“Çfarë është kufiri i borxhit, pse duhet të ngrihet ky kufi? Këto janë pyetje që bëhen nga të gjithë në botë sepse me përjashtim të Shteteve të Bashkaura dhe Danimarkës, asnjë vend tjetër në botë nuk ka nevojë të rrisë kufirin e borxhit dhe natyrisht që askush nuk e kupton këtë proces”.

Profesor Larres thotë se ndikimet e mbylljes së pjesëshme të qeverisë amerikane ende nuk ndjehen shumë dhe nëse kjo krizë zgjidhet brënda një kohe të arsyeshme, situata mund të korregjohet me shpejtësi. Por ai thotë se një mosmarrëveshje e zgjatur dhe një krizë edhe më e thellë mund të kenë një ndikim negativ, që mund të dëmtojnë pozitën e Shteteve të Bashkuara si udhëheqësja kryesore politike dhe ekonomike e botës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG