Lidhje

Uashington: Kompanitë private lehtësojnë strehimin

  • Jeff Swicord

Përpjekjet për të ndihmuar njerëzit me të ardhura të pakta të gjejnë vende të sigurta e të pastra për të jetuar në kryeqytetin amerikan

Përkrahësit e strehimit thonë se banimi i përballueshëm po bëhet gjithnjë e më pak i mundur në Shtetet e Bashkuara ku më pak njerëz janë në gjendje të kenë shtëpitë e tyre ndërkohë që qiratë janë në rritje. Jeff Swicord i Zërit të Amerikës tregon për përpjekjet e sektorit privat për të ndihmuar njerëzit të gjejnë vende të sigurta e të pastra për të jetuar në kryeqytetin e vendit.

Paola Nunez është një punonjëse për kujdesin ndaj fëmijëve në Uashington. Deri kohët e fundit, ajo jetonte me nënën e saj. Por më pas vendosi se kishte ardhur koha për të marrë banesën e saj. Ajo shpejt mësoi ka disa alternativa strehimi për dikë që jeton me një pagë modeste.

"Pashë një reklamë, ku po jepeshin dhomat e një shtëpie me qera. Dhe çdo dhomë ishte 800 dollarë. Tetë dhoma gjumi, është qesharake. Do të thotë se duhet ta ndash gjithçka me dikë tjetër. Nuk ke privatësi".

Nunez nuk është e vetme. Paga e saj është vetëm disi mbi të ardhurat mesatare prej 25 mijë dollarë për Uashingtonin. Kara Fitzgerald është me Jubilee Housing, një organizatë private që ofron strehim të përballueshëm për banorët me të ardhura të ulëta në Uashington.

"Qiraja konsiderohet e përballueshme në Shtetet e Bashkuara kur është 30 për qind e të ardhurave të familjes. Dy nga pesë familje në Uashington, DC paguajnë më shumë se kaq".

Një grup tjetër, Koalicioni Kombëtar i Strehimit për të Ardhurat e Ulta, thotë se për çdo 100 familje në Uashington që jetojnë me $ 25mijë të ardhura në vit, ka vetëm 40 njësi të përballueshme strehimi.

Nunez mori një apartament përmes organizatës Jubilee Housing, i cili subvencionoi qiranë e saj.

Përkrahësit thonë se mungesa e strehimit është një krizë mbarëkombëtare. Sheila Crowley është kryetare e Koalicionit Kombëtar të Strehimit për të Ardhurat e Ulta.

"Kërkesa për strehim me qira është rritur, ndërkohë që nuk ka një rritje të konsiderueshme në ndërtime. Kështu që qiratë janë duke u rritur në të gjithë vendin që do të thotë se njerëzit më të varfër janë duke ndjerë edhe më thellë krizën në tregun e strehimit”.

Crowley thotë se më të prekurit përfundojnë në rrugë. Të tjerët jetojnë me anëtarët e familjes ose në strehim nën standart. Paola Nunez pa disa apartamente para se të gjente vendin për të jetuar.

“Ato që isha në gjendje t’i përballoja, nuk ishin vende ku mund të jetoja. Kushtet ishin mjaft të vështira”.

Koalicioni Kombëtar për Strehimin me të Ardhura të Ulta sugjeron ndryshimin e kodit të taksave për të financuar strehimin për ata që kanë të ardhura të ulta.Përsëri Sheila Crowley.

“Po të ndodhë kjo, qeveria kursen 30 miliardë dollarë në vit. Dhe në se I vë këto para në ndërtim dhe për strehimin e njerëzve me të ardhura të ulta, do të mund të zgjidhësh problemin e strehimit në Shtetet e Bashkuara".

Nunez është mirënjohëse për ndihmën që ajo merr dhe thotë se strehimi i përballueshëm duhet të jetë më shumë se një prioritet për kombin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG