Lidhje

Zhvillimet politike të javës në Uashington


Kongresi amerikan nuk zhvillon seanca këtë javë, por ligjvënësit po reagojnë ndaj fjalimit të Presidentit Barack Obama të premten, kur njoftoi ndryshime në operacionet e agjencive amerikane të zbulimit. Siç theksohet në materialin në vazhdim, perceptimi i ligjvënësve ka rëndësi sepse miratimi nga ana e Kongresit do të kërkohet për të vënë në zbatim disa prej reformave të kërkuara nga zoti Obama.

Presidenti njoftoi ndryshime në mënyrën e ruajtjes së të dhënave të grumbulluara nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe propozoi procedurat se si qeveria do të mund t'i marrë këto të dhëna. Ai u përpoq gjithashtu ta siguronte komunitetin ndërkombëtar se Shtetet e Bashkuara janë të matura kur bëhet fjalë për veprimtaritë e përgjimit jashtë vendit.

“Aspekti më i rëndësishëm është se njerëzit në botë, pavarësisht nga kombësia, duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara nuk përgjojnë njerzit e thjeshtë, që nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë tonë kombëtare dhe ne i kemi në konsideratë shqetësimet e tyre të privacisë kur miratojmë politikkat dhe procedurat tona. Këtu përfshihen edhe udhëheqësit e huaj”.

Fjalimi ishte plot elementë të rinj, thotë anëtari republikan i Kongresit, Michael McCaul.

“Për herë të parë, Presidenti i shpjegoi këto programe dhe i mbrojti ato. Më me rëndësi është se këto të dhëna nuk do të shkatërrohen, por do të mbrohen nga një palë e tretë e jashtme. Mendoj se ajo që i shqetëson më shumë amerikanët ishte se këto të dhëna mbaheshin nga NSA-ja dhe mbikqyreshin nga qeveria, ndërkohë që dihet që kjo administratë ka probleme me besimin e publikut”.

Anëtari tjetër republikan i Kongresit, Mike Rogers përshëndeti Presidentin Obama për mbrojtjen e grumbullimit të të dhënave si një hap i domosdoshëm dhe i duhur.

“Si amerikanë, ne duhet të arrijmë në përfundimin nëse mund t’i vëmë këto programe nën mbikqyrjen e duhur. Mendoj se e kemi bërë një gjë të tillë si gjatë administratës së ish presidentit George W. Bush edhe të zotit Obama për t’u siguruar se kemi një program që nuk lë boshllëqe siç ndodhi para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001”.

Kongresi e merr me seriozitet këtë çështje dhe do të veprojë, thotë Senatori demokrat, Patrick Leahy.

“Shqetësimi që ka çdo kush është që qeveria të lejohet të hyjë në jetën tonë private. Ne duhet të na shqetësojë fakti se kemi një qeveri që na kontrollon neve në vend që ne të kontrollojmë qeverinë. Dhe pikërisht këtë do të përpiqen të ndryshojnë si republikanët edhe demokratët në Kongres”.

Ligjvënësit do ta diskutojnë më në hollësi këtë çështje javën e ardhshme kur të kthehen nga pushimet. Zoti Obama ka të ngjarë të përsërisë thirrjen e tij për reforma në agjencitë e zbulimit në fjalimin mbi gjendjen e vendit, që do ta mbajë më 28 janar.
XS
SM
MD
LG