Lidhje

Informacione të reja mbi origjinën e njeriut në një ekspozitë të re në Washington

  • Rozanë Skirble

Informacione të reja mbi origjinën e njeriut në një ekspozitë të re në Washington

Informacione të reja mbi origjinën e njeriut në një ekspozitë të re në Washington

Shkencëtarët thonë se dy skelete të gjetura në një shpellë të Afrikës së Jugut, i përkasin një specieje të paklasifikuara më parë, të hominidit, apo parardhësit të njeriut. Ky zbulim mund të ketë hedhur dritë të re tek evolucioni i species njerëzore, homo sapien dhe nxit interes të mëtejshëm tek evolucioni i njeriut. Në Muzeun e Historisë së Natyrës në Qendrën Smithsonian këtu në Washington, është hapur një ekspozitë e re, e cila bazohet tek kërkimet shkencore të më tepër se një shekulli, lidhur me origjinën e njeriut:

Muzeu Kombëtar i Historisë së Natyrës po shënon 100 vjetorin, duke i mirëpritur vizitorët me një ekspozitë të re.

Ata kanë ardhur këtu për të gjetur përgjigje mbi pyetjen e hershme : ”Çdo të thotë të jesh njeri?”

Punonjësi i muzeut Rick Potts thotë se 300 fosile dhe artifakte të tjera të ekspozuara ilustrojnë një mozaik gjurmësh fizike dhe të sjelljes që ka evoluar me kalimin e kohës.

"Të gjitha këto specie tani nuk janë më… Ne jemi të vetmit pasardhës të kësaj peme famijare të shumëllojshme",- thotë ai.

Vizitorët shohin nga afër replikat e njerëzve të lashtë, ulen tek vatra e paraardhësve të tyre dhe ecin në gjurmët e gdhendura prej tyre 4 milionë vjet më parë në Tanzani.

"Këto gjurmë janë ekzaktësisht siç i kanë lënë tre individë, të cilët kanë ecur nëpër pllajat afrikane në të periudhë".

Në këtë kuti ndodhen dy fosile, njëra është një kafkë 28 mijë vjeçare e njerëzve të parë modernë që kanë jetuar në Evropë, të njohur si Cro-Magnon. Kafka tjetër njihet si Neanderthal, një specie e cila ecte në këmbë, bashkëkohëse me Cro-Magninin, deri në zhdukjen e tyre rreth 30 mijë vjet më parë.

Të dy kafkat janë marrë hua nga Muzeu i Njeriut në Paris. Ato janë zbuluar në Francë rreth së njëjtës periudhë, kur Charles Darwini publikoi veprën e tij të famshme “Mbi origjinën e specieve”, në vitin 1859.

Alain Froment, i cili punon me koleksionin e antropologjisë në muzeun francez, thotë se puna e Darwinit ka luajtur një rol kyç në studimet e tyre.

"Ky zbulim ka ndezur debatin lidhur me origjinën e njeriut dhe është për t’u çuditur që ka ekzistuar një njeri kaq modern në periudhën e fosileve, krahas me kafshët e zhdukura", - thotë ai.

Vizitorët i ftojnë të prekin replikat e paraardhësve, për të transformuar një imazh të fytyrës së tyre në një version të njeriut të lashtë dhe për t’u angazhuar me replika që përçojnë evolucionin.

Kjo histori 6 milionë vjeçare po ashtu shpaloset gjatë një epoke ndryshimesh të mëdha klimatike. Rick Potts thotë se ekspozita tregon se si iu adaptuan njerëzit ndryshimeve të mëdha të motit, nga i ngrohtë në të ftohtë, me lagështirë dhe i thatë.

"Këtu mëson se ata jo vetëm që ju përshtatën savanave afrikane, por Neanderthalët ju përshtatën edhe epokës së akullnajave, mëson se si u krijua aftësia e njeriut për të punuar vegla, për të patur një tru kompleks, si dhe aftësia për të përdorur simbolet, gjuha… Të gjitha këto nuk janë thjesht përshtatje ndaj mjedisit, por një përshtatje për të qenë të adaptueshëm."

Mësuesja e shkollës fillore Neisha Speights Burno ka në plan t’i njohë nxënësit e saj me këto zbulime.

"Ekspozita i mëson ata se të gjitha objektet që shohin këtu kanë ekzistuar", - tha ai.

Ndjenja e lidhjes është e rëndësishme për Charla Weis-wurm, vizitore nga Teksasi.

"Me gjithë këto konflikte që ndodhin sot në mbarë botën, kur vjen këtu sheh se të gjithë kemi një origjinë dhe mendon, përse të mos shkojmë mirë kur jemi të gjithë njëlloj?"- thotë ajo.

Rick Potts shpreson se ekspozita i përgjigjet kësaj pyetjeje, duke treguar se ja vlen të njohësh paraardhësit tanë dhe jetën e tyre. Dhe duke i njohur, shton ai, ata na mësojnë se çdo të thotë të jesh njeri.


XS
SM
MD
LG