Lidhje

Bezos blen gazetën "The Washington Post"


Lajmi se Washington Post, një ndër gazetat më të mëdha amerikane iu shit themeluesit të firmës Amazon.com, Jeff Bezos befasoi dje botën e medias. Zoti Bezos theksoi se blerja ishte personale dhe nuk kishte lidhje as me kompaninë Amazon, as me aksionet e tij në atë kompani.

Washington Posti ka qenë një forcë madhore në gazetarinë amerikane për dekada me radhë, e njohur mbi të gjitha për mbulimin e skandalit të Watergatit që çoi në dorëheqjen e ish-Presidentit Riçard Nikson në vitin 1974.

Gazeta the New York Times, që konsiderohet si gazeta më e respektuar në Shtetet e Bashkuara tha se çmimi i shitjes për Washington Postin ishte pothuajse asgjë, pasi kompania do të ishte vlerësuar me miliarda dollarë para se interneti ta ulte në mënyrë dramatike aftësinë e saj për fitime.

Shitja e kësaj gazete që ka qenë pronë e një familjeje për katër breza, ka ngjallur një jehonë të madhe dhe një nga arsyet është se ajo duket si një kombinim i pazakontë mes një sipërmarrësi të internetit dhe njërit prej modeleve të gazetarisë me histori mbi 130 vjeçare.

Jeff Bezos ka ndryshuar mënyrën e blerjes në internet dhe ndoshta edhe të të lexuarit e librave. Pasuria e tij është 25 miliardë dollarë dhe ai po e blen Washington Postin për 250 milionë dollarë me para në dorë.

Lajmi i shitjes së gazetës i deklaruar nga presidenti i saj, Don Graham e tronditi stafin.

Në këtë epokë interneti, gazetat kanë humbur lexues dhe po vuajnë financiarisht. Por çfarë do të bëjë Bezos me gazetën që zbuloi Watergate-in, një histori aq intriguese saqë u rrëfye edhe në filmin “The President’s men” me aktorët Robert Redford dhe Dustin Hoffman?

“Një pronar i ri me vlera të reja, program të ri dhe vizion të ri, me fonde të mëdha, pra me mundësinë për të filluar një kapitull të ri për Washington Postin”, thotë John Harris i gazetës Politico.

Ja si shprehej Jeff Bezos në një intervistë.

“Është e rrezikshme të mos ecësh përpara. Nëse do që të zhdukesh, mos u zhvillo”.

Bezos, në ndryshim nga pronarët e tjerë të firmave të teknologjisë e pëlqen politikën dhe mënyrën sesi funksionon Washingtoni. Për familjen Graham, e cila prej kohësh ka pasur në pronësi gazetën, ai nuk ka veçse fjalë vlerësimi.
XS
SM
MD
LG