Lidhje

SHBA njofton partnerët për nxjerrje detajesh


Gazeta Washington Post thotë se zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë disa shërbime të huaja zbulimi se dokumentat që ka në dorë ish-kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, Edward Snowden kanë detaje për bashkëpunimin e tyre sekret me Uashingtonin.

Washington Post njofton në numrin e saj të sotëm se dhjetra mijëra dokumenta që ka mbledhur Snowden kanë material sekret për programe për mbledhje informacioni kundër vendeve si Irani, Rusia, dhe Kina. Gazeta shkruan se dokumentet i referoheshin edhe operacioneve që përfshijnë vende, që publikisht nuk janë aleatë me Shtetet e Bashkuara.

Washington Post e përshkroi procesin e informimit të zyrtarëve të kryeqyteteve botërore për rrezikun e publikimit si “delikat” sepse në disa raste, një institucion i qeverisë së një vendi mund të mos jetë në dijeni që një institucion tjetër po bashkëpunon.

Ky zhvillim vjen në valën e indinjatës që kanë shkaktuar njoftimet se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar bisedat telefonike të 35 udhëheqësve botërorë, përfshirë ato të kancelares gjermane Angela Merkel.
XS
SM
MD
LG