Lidhje

Blerja e Washington Postit dhe biznesi i gazetave


Themeluesi i kompanisë Amazon, Jeff Bezos po blen një prej gazetave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Washington Post njoftoi se zoti Bezos do ta blejë gazetën dhe publikime të lidhura me të për 250 milion dollarë. Ky lajm habiti shumë njerëz në industrinë e mediave, por siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, disa analistë thonë se kjo marrëveshje mund të jetë e mirë për biznesin në vështirësi të gazetave.

E njohur si gazeta që jep e para lajmin e rëndësishëm, Washington Posti ka qënë një ikonë e gazetarësi në shtyp për dekada me radhë. Por e përballur me rënien e numrit të shitjeve dhe të ardhurave nga reklamat, drejtori ekzekutiv i saj, Donald Graham u tha punonjësve se gazeta ka një të ardhme më të mirë me pronarin e ri.

“Ne e dinim se mund ta mbanim gjallë Washington Postin, ne e dinim se gazeta mund të mbijetonte, por aspiratat tona për të kanë qënë gjithnjë më të larta se sa kaq”.

Gazetat kanë humbur lexues si dhe të ardhurat nga reklamat përballë rivalëve në Internet.

Dhe pikërisht pioneri i Internetit dhe themeluesi i kompanisë Amazon, Jeffery Bezos, njeriu i 11-të më i pasur i botës, e bleu Washington Postin për 250 milion dollarë.

Nuk kemi ndonjë plan dhe e ardhmja nuk do të jetë e lehtë, shkruante Bezos në një letër që u dërgoi dje punonjësve të Washington Postit pas njoftimit të blerjes së gazetës. “Ne do të kemi nevojë për novacion, pra do të na duhet të eksperimentojmë”, shkruante ai.

Historia gati 20 vjeçare e Amazonit nën drejtimin e zotit Bezos tregon se Washington Posti ka të ngjarë të provojë gjëra që gazeta të tjera, të zhytura në traditë, nuk kanë guxuar të provojnë.

Disa analistë e quajnë një hap të mënçur për zotin Bezos si dhe hapin e duhur për gazetën.

Profesori i studimit të mediave, Paul Levinson thotë se kishte ardhur koha që Washington Posti të integrohej në epokën dixhitale. Ai foli me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it.

“E ardhmja e gazetave është në Internet. Kjo nuk do të thotë se gazetat nuk do të ekzistojnë, në fakt mundësia e vazhdimit të publikimit të tyre varet nga një prani e gjallë, aktive dhe në rritje në Internet dhe pikërisht këtë mund të bëjë kompania Amazon për Washington Postin”.

Prej disa dekadash Washington Posti ka qenë nën pronësinë e familjes Graham. Zoti Bezos e siguroi pronarin e deritanishëm se misioni dhe karakteri i gazetës nuk do të ndryshojnë, duke premtuar se menaxherët e saj do të vazhdojnë të jenë në krye të operacioneve në të ardhmen.

Chris Tolles, drejtori ekzekutiv i publikimit në Internet Topix, që lexohet nga miliona njerëz, thotë se Washington Posti është një zë i rëndësishëm në biznesin e mediave dhe në politikën amerikane. Ai foli për Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it.

“Mendoj se kjo është një prej 3-4 gazetave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara dhe artikujt e saj redaksionalë janë të rëndësishëm. Ato lexohen nga presidentë dhe nga anëtarë të Kongresit dhe familjet e tyre”.

Washington Posti siguroi një emër shumë të mirë sepse ka qenë i pari që ka njoftuar për ngjarje të tilla të rëndësishme si skandali Watergate, Dokumentet e Pentagonit dhe më së fundi njoftimet rreth programeve të përgjimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
XS
SM
MD
LG