Lidhje

Armët dhe postet e kabinetit, në axhendën e javës


Presidenti Obama do të përpiqet sot të sigurojë mbështetjen e opinionit publik për forcimin e masave të kontrollit mbi armët e zjarrit. Masat e propozuara u hartuan pas tragjedisë në shkollën fillore Sandy Hook në Konektikat. Po këtë javë, Senati do të vazhdojë seancat me pyetje-përgjigje për konfirmimin e kandidaturave të Presidentit për poste të larta ekzekutive:

Presidenti Obama shkon sot në Miniapolis të Minesotës për të siguruar mbështetje për politikat e tij për kontrollin e armëve të zjarrit. Shefi i policisë në këtë qytet ishte një ndër zyrtarët e rendit që i ofruan opinionet e tyre Nënpresidentit Joe Biden gjatë formulimit të rekomandimeve. Vjet, Miniapolis ishte skenë e një incidenti vdekjeprurës me armë zjarri dhe kryetari i bashkisë R. T. Rybak është bërë një zë i fuqishëm në përpjekjet për forcimin e kontrollit:

“Në një lagje të mrekullueshme, në një biznes të mrekullueshëm kemi pasur një tragjedi të tmerrshme”.

Mbështetja e fortë e masës për ligje të reja mbi armët e zjarrit shihet si faktor kritik për nxitjen e veprimeve në Kongres. Një seancë në Senat javën e kaluar nxori në pah vijën e betejës mes aktivistëve për forcimin e kontrollit, si ish-ligjvënësja Gabrielle Giffords, viktimë e dhunës me armë zjarri e cila tha se duhet vepruar dhe atyre që kundërshtojnë ndryshimet, si Wayne LaPierre i Shoqatës Kombëtare të Armëve:

“Propozimet për ligje të reja mbi kontrollin e armëve, ndërkohë që nuk zbatohen mijëra rregullore që kemi, nuk janë zgjidhje serioze për uljen e dhunës”.

Përveç kontrollit të armëve, Senati po shqyrton edhe kandidatin e Presidentit për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, Chuck Hagel. Ish-senatori republikan pati momente bllokimi në seancat me pyetje-përgjigje javën e kaluar. Në një moment ai u ngatërrua kur po fliste për politikën e administratës amerikane ndaj Iranit:

“Mbështes politikën e administratës për izolimin e Iranit”.

Zoti Hagel tha më pas se mbështet përpjekjet për të mos lejuar që Irani të shtjerë në dorë armë bërthamore. Megjithatë, kundërshtimet e republikanëve ndaj kandidaturës së tij duket se u forcuan gjatë dhe pas përgjigjeve të tij. Senatori James Inhofe:

“Qëndrimi i mëparshëm i Senatorit Hagel është shumë shqetësues dhe larg rrymës qendrore”.

Megjithëse demokratët kanë shumicën në Senat, zoti Hagel mund të ketë nevojë për mbështetjen e të paktën pesë republikanëve, nëse ndonjë nga senatorët kërkon zbatimin e rregullores për konfirmim me dy të tretat e votës.

Këtë javë Senati do të fillojë seancat për shqyrtimin e kandidaturës së presidentit për kreun e CIA-s, John Brennan:

“Nëse konfirmohem si drejtor i CIA-s, misioni im do të jetë të garantoj që kjo agjenci ka mjetet e nevojshme për ta mbajtur këtë vend të sigurtë”.

Ndërkaq, John Kerry fillon javën e parë në detyrën e Sekretarit të Shtetit. Ai është zotuar të forcojë sigurinë në misionet diplomatike amerikane pas sulmit të përgjakshëm ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë. Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta pritet të flasë për sulmin në Bengazi kur të japë dëshmi të enjten para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura.
XS
SM
MD
LG