Lidhje

Ngjarjet e pritshme të javës

  • Michael Bowman

Fjalimi i Presidentit Barack Obama për gjendjen e vendit pritet të jetë ngjarja kryesore e kësaj jave të ngarkuar në politikën amerikane. Le t'i hedhim tani një sy më hollësisht javës që sapo filloi.

Presidenti pritet të japë hollësi të mëtejshme rreth programit të tij për mandatin e dytë me fjalimin që do të mbajë përpara të dyja dhomave të një Kongresi të ndarë politikisht. Ky program përfshin reformën e sistemit të imigracionit– një çështje që përkrahet nga senatori Marco Rubio, i cili në emër të republikanëve do t'i përgjigjet fjalimit të zotit Obama.

“Shumica e amerikanëve besojnë se ne duhet të kemi një sistem imigracioni që funksionon. Ata e dinë se ky që kemi tani nuk është sistem i shekullit të 21 për imigracionin e ligjshëm."

Të mërkurën, Komisioni i Ligjeve në Senat do të shqyrtojë një plan dypartiak për forcimin e masave në kufirin amerikan dhe për t'i hapur rrugën procedurave për dhënien e shtetësisë 11 milion imigrantëve pa dokumente që ndodhen në vend nëse ata plotësojnë disa kushte. Në seancë do të dëshmojë sekretarja e Sigurisë së Vendit, Janet Napolitano, e cila i ka ngritur prej kohësh këto probleme.

“Në një moment në të ardhmen ne do të na duhet të merremi me reformën e imigracionit."

Të mërkurën, Presidenti Obama pritet të flasë për kontrollin e armëve të zjarrit kur të vizitojë qytetin Asheville, në Karolinën e Veriut. Në Asheville ka patur plot aktivitete për çështjen e armëve pas vrasjeve masive të dhjetorit në një shkollë fillore të shtetit Konektikat. Disa banorë lëshuan në qiell balona në kujtim të viktimave të dhunës me armë.

Por të tjerë organizuan një short për armë gjysmë-automatike, duke shprehur kundërshtimin ndaj kontrollit të armëve.

"Të vetmit që ju po çarmatosni janë ata që do të jenë viktima në të ardhmen."

Ekonomia ende në vështirësi do të jetë tema kryesore e vizitës që presidenti do të bëjë të enjten në shtetin jugor të Xhorxhias. Rod Mack, i papunë nga Atlanta dëshiron të shikojë masa reale për uljen e papunësisë.

“Njerëzit nuk duan të rrinë pa punë. Ata nuk janë të interesuar të marrin përfitime për papunësinë megjithëse ato u takojnë."

Gjatë kësaj jave, Senati mund të votojë për kandidatët e dy posteve të larta të kabinetit Obama: ish senatorin republikan Chuck Hagel për sekretar të mbrojtjes dhe zotin John Brennan për drejtor të CIA-s.

XS
SM
MD
LG