Lidhje

Këtë javë në Uashington


Politikanët në Washington këtë javë do të përqendrohen tek imigracioni, ndërsa anëtarët e Senatit debatojnë mbi një ligj për riorganizimin e sistemit të imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Ky projektligj është formuluar nga katër senatorë republikanë dhe katër demokratë.

Ekziston një marrëveshje e përgjithshme brenda Shteteve të Bashkuara, se sistemi i imigracionit është me të meta. Projektligji i propozuar nga të dyja partitë do t’i siguronte rrugën drejt shtetësisë amerikane imigrantëve pa dokumente, do të përcaktonte procesin e ligjshëm të imigracionit për vendin dhe do të forconte sigurinë në kufi.

Ja si shprehet Harry Reid, kryetar i shumicës demokrate në Senat:

“Kënaqesh kur sheh se ka ardhur momenti i duhur për zbatimin e kësaj pakete reformash që do ta bënte vendin më të sigurtë dhe do t’i ndihmonte 11 milionë imigrantët pa dokumente të jenë në rregull me ligjin.”

Disa kritikë thonë se ligji u siguron “de facto” amnistinë personave që kanë shkelur ligjin.

“Të ndalohet të paguash një guidë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe 18 muaj më vonë mund të kërkosh rrugën drejt qytetarisë në Shtetet e Bashkuara. Ky nuk është ligj, thotë senatori republikan Jeff Sessions.

Presidenti Barak Obama i ka bërë thirrje Senatit ta miratojë pa humbur kohë ligjin dhe ai pritet të flasë për të në Shtëpinë e Bardhë nesër. Ligji për imigracionin nuk është perfekt, por ai është arsyeshëm, tha presidenti në fjalimin e tij të përjavshëm.

“Ligji do t’u siguronte rrugën drejt qytetarisë 11 milionë personave që ndodhen në këtë vend në mënyrë të paligjshme, një periudhë gjatë së cilës ata do t’i nënshtrohen kontrolleve biografike, do të mësojnë anglishten, do të paguajnë taksa dhe gjobat dhe pastaj do të mbajnë radhën, pas personave që kanë aplikuar sipas rregullave dhe përpiqen të qendrojnë këtu në mënyrë të ligjshme.”

Edhe nëse ligji i imigracionit miratohet në Senat, ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve janë duke shqyrtuar reformat e tyre.

Këtë javë, në fokus është edhe bujqësia, ndërsa Senati përgatitet të votojë për Ligjin mbi Fermat. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të diskutojë në ditët e ardhshme për paketën e konservimit, ushqyerjes dhe programet e subvencionuara nga shteti.

Për çështjet e jashtme, Dhoma e Përfaqësueve po shqyrton sulmet terroriste të vitit 2008 ndaj kryeqytetit financiar të Indisë, Bombeit. Grupi me bazë në Pakistan përgjegjës për këto sulme, Lashkar-e-Taiba dhe qëllimi, ose aftësia e këtij grupi për të kryer sulme ndaj Shteteve të Bashkuara, do të jetë fokusi i diskutimit që do të zhvillohet të mërkurën në Komisionin e Kongresit për Sigurinë Kombëtare.

Po ashtu, qershori është muaji i homoskesualëve, një fakt që Sekretar Kerry e theksoi javën e kaluar.

“Ky është muaji kur theksojmë të qenit të barabartë dhe me dinjitet. Kjo ka të bëjë me pranimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut. Është për njerëzit, që pavarësisht nga orjentimi i tyre seksual, ndjehen krenarë për veten.”

Duke filluar nga 1 gushti, martesa mes njerëzve të të njëjtit seks do të jetë e ligjshme në 12 shtete amerikane, plus Distriktin e Columbias. Presidenti Obama pritet të marre pjesë të enjten në një festim për muajin e homoseksualëve.
XS
SM
MD
LG