Lidhje

Ç'ndodh këtë javë në Uashington

  • Michael Bowman

Gjatë javës në vazhdim vëmendja do të përqëndrohet sërish tek ligji i kujdesit shëndetësor i propozuar nga Presidenti Barak Obama, pas një raporti të fundvitit i cili njoftoi rritje të numrit të njerëzve të cilët janë regjistruar për sigurim shëndetësor. Ky lajm përbën shenjën më konkrete deri më sot se problemet teknike me të cilat është përballur programi i “Ligjit të Kujdesit të Përballueshëm” janë përmirësuar, edhe pse suksesi afatgjatë i tij nuk është ende i sigurt.

Presidenti Obama është me pushime në Havai, por administrata e tij thotë se më shumë se një milion njerëz janë regjistruar tashmë për sigurime shëndetësore private përmes tregut të krijuar në bazë të ligjit të ri për sistemin federal të kujdesit shëndetësor.

"Kam nevojë për sigurim shëndetësor. Do regjistrohem patjetër," - thotë një qytetare.

Pothuajse të gjithë anëtarët e rinj të programit janë regjistruar në muajin dhjetor. Miliona njerëz vizituan faqen e internetit të sistemit federal javën e kaluar, përpara se të përfundonte një afat që bënte të mundur nisjen e mbulimit shëndetësor më 1 janar.

"Të gjithë ata që njoh të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor, do të regjistrohen patjetër," - thotë Desiree Hollar, që vetë është tashmë pjesë e programit.

Rritja e numrit të të regjistruarve ofron një shenjë të parë shprese se problemet teknike që paralizuan nisjen e programit mund të jenë pjesë e të shkuarës. Deri tani, presidenti Obama ka mbrojtur ligjin duke pranuar dhe gabime:

"E vërteta është se gjatë muajit të parë, gjatë gjashtë javëve të para, programi funksionoi në një mënyrë që ishte e pranueshme. Dhe meqënëse unë jam në krye, natyrisht, ne gabuam."

Republikanët vazhdojnë të bëjnë thirrje për shfuqizimin e ligjit, me pretendimin se janë më të shumtë amerikanët të cilëve u janë anuluar sigurimet shëndetësore që kishin se ata që kanë përfituar nga reforma. Senatori demokrat Charles Schumer parashikon se kritikat do të zbehen me kalimin e kohës:

"Gjëja kryesore është se ka shumë gjëra të mira që njerëzit pëlqejnë tek ligji “Obamacare” dhe sa më shumë vetë t’i shohin ato aq më pozitiv do të jetë reagimi ndaj reformës."

Një milion të regjistruar është një shifër mjaft larg shtatë milionë njerëzve që administrata e Presidentit Obama kishte caktuar si objektiv për fazën fillestare të reformës. Gjithashtu, mbetet për t'u parë nëse do të ketë numër një numër të madh amerikanësh të rinj e njerëzish të shëndetshëm që do të regjistrohen në program. Pa ata, qëndrueshmëria ekonomike e reformës do të shembet.
XS
SM
MD
LG